Lajme

Kurti thotë se nuk e di çfarë do t’i kërkojnë në takim 5-shja e madhe e diplomatëve


Foto nga takimi i pare

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk e di se cila do jetë kërkesa, por as cila do jetë oferta e pesë top diplomatëve që e vizitojnë të shtunën të udhëhequr nga ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, bashkë me amerikanin Gabriel Escobar dhe këshilltarët Emmanuel Bonne, Jens Plotner dhe Francesco Talo.

“Çka do të ofrojnë dhe çka do të kërkojnë e kuptojmë nesër”, deklaroi Kurti.

“Unë mund të them që nuk mund të kemi normalizim pa siguri dhe siguria e Kosovës duhet të jetë prioritet edhe për institucionet e shtetit dhe për popullin dhe shoqërinë. Për këtë ne punojmë ditë e natë me krejt çfarë mundemi”, pohoi kryeministri nga një lokacion në Shtime ku pritet të ndërtohet një çerdhe.

Sipas Kurtit, gjithçka po dështon për shkak të aspektit të sigurisë, krijuar nga shteti serb.

“Në dhjetor të vitit të kaluar i kishim 3 javë 16 barrikada në Veri, më 26 shtator humbi jetën rreshteri i policisë, heroi i Kosovës, Afrim Bunjaku. Është jetike, për Kosovën dhe demokracinë dhe ndoshta edhe për rajonin e Ballkanit në përgjithësi që ata që nuk e kanë ditur ose se kanë kuptuar se kush është Serbia ose Beogradi zyrtar më në fund ta bëjnë këtë”.

Kurti përsëriti se “nuk është Kosova ajo që duhet të ketë masa ndëshkuese, por është Serbia ajo që duhet t’i vendosen sanksione”.

Edhe sa i përket marrëveshjes së arritur në Bruksel e përforcuar në Ohër me Aneks, Kurti tha se Kosova dhe Serbia e kanë, por që prapë “për shkak të sigurisë nuk është zbatuar”.

“Ne kemi qenë përherë konstruktivë, të përkushtuar, kreativë dhe kurrsesi s’ka faj apo përgjegjësi në anën tonë se përse Kosova dhe Serbia nuk i kanë marrëdhëniet normale”, pohoi.

Vetë marrëveshjen, Kurti e lavdëroi.

Tha se “e ka në qendër njohjen defacto, reciproke dhe sa më shpejt që zbatohet kjo do të kemi jo vetëm normalizim, por edhe siguri”.

Gjithsesi, përkundër deklarimit, Kurti e di çfarë e pret nesër.

Dhe ka të bëjë pikërisht me këtë marrëveshje.

Albanian Post të enjten ka raportuar ekskluzivisht për përmbajtjen e vizitës së pesë diplomatëve perëndimorë.

Vetëmenaxhimi në këmbim të njohjes de facto do të jetë formula e vetme qe pesëshja e ka të shtunën në tavolinë si pjesë e marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë.

Kjo do të jetë një përmendje e rëndësishme, e cila tregon se marrëveshja synon të lejojë komunitetin serb në Kosovë të ketë një shkallë më të lartë të autonomisë dhe vetëqeverisjes, ndërsa në këmbim Kosova merr njohjen de facto të saj nga Serbia. Kjo është një pjesë e shpërndarjes së përgjegjësive dhe të arriturave të ndërsjella midis dy vendeve dhe është një përpjekje për të normalizuar marrëdhëniet midis tyre në kuadër të dialogut dhe negociatave ndërkombëtare.

Ky është një aspekt i rëndësishëm i procesit të normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë dhe është një nga pikat kyçe të marrëveshjes bazike që janë diskutuar në negociatat midis Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare dhe Serbisë dhe Bashkësisë ndërkombëtare dhe do të jenë merre ose lere në takimin e të shtunës në Prishtinë dhe Beograd.

Dihet edhe cilat janë opsionet e Kurtit para diplomacisë së prezentuar nga Lajçak, Escobar, Bonne, Plotner dhe Talo.

Kurti ka katër opsione: Të tërhiqet nga Marrëveshja e Parë, të ndryshojë Kushtetutën, të mos bëjë asgjë, ose të propozojë një zgjidhje kreative të shtunën.

Sic ka shkruar të enjten Albanian Post, tri nga këto opsione kanë potencial shumë të dëmshëm për Kosovën.

Nëse Kosova tërhiqet nga Marrëveshja e Parë, kjo mund të sjellë rënie në nivelin ndërkombëtar të saj dhe eskalime të reja.

Nëse ndryshohet Kushtetuta, kjo mund të sjellë dobësim të strukturave të vendit.

Ndërkohë që, nëse Kosova nuk bën asgjë, rezultati mund të jetë i ngjashëm me opsionin e parë, duke lejuar Serbinë të përfitojë nga status quo.

Vetëmenaxhimi në këmbim të njohjes de facto, kjo është të shtunën në tavolinë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore