Lajme

Kurti të martën në Bruksel, takohet me Vuçiç dhe liderët e Ballkanit Perëndimor


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të martën do të udhëtojë drejt Brukselit për të marrë pjesë në një takim me liderët e Ballkanit Perëndimor.

Ky do të jetë takimi i parë ndërmjet kryeministrit Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Takimin e 18 majit në Bruksel e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i qeverisë Kurti, Përparim Kryeziu.

“Do të takohen të gjithë përfaqësuesit, përkatësisht liderët e Ballkanit Perëndimor. Ky lloj organizimi i shërben komunikimit dhe diskutimit ndërmjet të gjithë liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian mbi ato që konsiderohet interesa dhe qëllime të përbashkëta”, thuhet në njoftimin për media.

Sipas Kryeziut, ky forum është mundësi e mirë për të zhvilluar diskutimin mbi marrëdhëniet bilaterale mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.

“Është forum shumë i mirë që të ketë diskutime të hapura mbi synimet e shteteve në raportet me BE-në dhe forma të tjera të bashkëpunimit”, ka thënë ai.

Kurti, pas vizitës së tij dy ditore në Bruksel, pati paralajmëruar se do të takojë liderët e partive opozitare në mënyrë që të diskutojnë për çështjen e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, para se ai të rifillojë në qershor.

Mirëpo, deri më tani Kurti nuk ka takuar opozitarët.

Takimi i parë mes Kosovës dhe Serbisë në rifillimin e dialogut pritet të mbahet në muajin qershor.

Të njëjtin takim, të paralajmëruar me 11 maj, Kurti e kishte refuzuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore