Lajme

Kurti: Të drejtat dhe liritë e njeriut janë baza e një shoqërie demokratike


Albin Kurti

“Ndërtimi i një shteti me institucione demokratike funksionale është mënyra se si në demokraci materializohen të drejtat dhe liritë tona, të cilat janë bazë e një shoqërie demokratike”

Kështu ka thënë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës së hënë në hapje e konferencës “Përgjegjësia institucionale për të drejtat e njeriut”, organizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë – YIHR.

Sipas kryeqeveritarit Kurti, Qeveria e Kosovës tashmë e ka miratuar Programin për të Drejtat e Njeriut për periudhën 2021-2025 me të cilën synon zhvillimin “socio-ekonomik të bazuar mbi largimin e pengesave ndaj përmbushjes së të drejtave dhe lirive themelore, përfshirë atyre ekonomike, që do të ndihmojnë qytetarin të punojë, konsumojë, kursejë dhe të jetojë me dinjitet e në paqe”.

I pari i ekzekutivit në fjalimin e tij theksoi se pavarësisht se sa të avancuara të jenë ligjet tona, sa të pavarura e profesionale të jenë institucionet e gjykatat tona, demokracia kërkon çdoherë pjesëmarrjen aktive të qytetarëve

“Qeveria e Kosovës do t’i përmbushë detyrimet që dalin nga njohja e çdo të drejte universale të njeriut, në mënyrë të barabartë dhe pa diskriminim”, tha ai duke shtuar se “çdo qytetar do të jetë i barabartë ku me vëmendje të veçantë do të ketë rritja e vetëdijes për pakicat të të gjitha llojeve, të përmirësohet pozita e secilës kategori shoqërore”.

Ai ka bërë të ditur se viti 2022 është shpallur si “viti personave me aftësi të kufizuara’’.

Duke ritheksuar përkushtimin e Qeverisë që të drejtat e njeriut të avancojnë në shtetin tonë dhe respektimi i tyre të bëhet plotësisht, Kurti potencoi se do të merren parasysh promovimi, respektimi dhe garantimi i të drejtave të njeriut dhe të drejtave të pakicave në vendimet dhe punën e Qeverisë për çdo ditë e në çdo vendim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore