Kosova

Kurti takon shefin e OSBE-së, bisedojnë për de-eskalimin e situatës në Veri


Albin Kurti dhe Michael Davenport

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këtë të premte është takuar me shefin e misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Prishtinë, Michael Davenport, dhe zëvendës shefin e OSBE-së Jeffrey Bieley, me të cilët ka diskutuar ndër të tjera për de-eskalimin e situatës në Veri, pas tensioneve të krijuara atje.

Siç njofton zyra e kryeministrit, në këtë takim u bisedua “për bashkëpunimin ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE)  dhe zhvillimet në vend”.

De-eskalimi i situatës në Veri të Kosovës, pas tensioneve të krijuara atje, po ashtu ka qenë subjekt i bisedës në mes të Kurtit dhe zyrtarëve të OSBE-së.

“Në takim u bisedua edhe për de-eskalim të situatës në katër komunat në veri  dhe normalizim të marrëdhënieve me Serbinë”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit.

Sa i përket zgjedhjeve të reja në Veri të Kosovës, pas atyre të 23 prillit – të cilat ishin bojkotuar nga serbët lokalë, që janë shumicë në atë pjesë – kreu i ekzekutivit kosovar ka potencuar se duhet të jenë të lira dhe të ndershme.

“Në lidhje me zgjedhjet e reja, Kryeministri tha se duhet të jenë zgjedhje të lira dhe të ndershme, të planifikuara e përgatitura mirë, me garë të hapur dhe pa frikësim”.

Ndërkaq, në njoftim bëhet me dije se Kurti i ka njoftuar edhe për emërimin e nënkryetarëve nga komuniteti serb në komunat Veriore, të cilat tani kanë kryetarë shqiptar, pasi që serbët refuzuan të merrnin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për katër komunat në Veri të Kosovës.

“Kryeministri e njoftoi z. Davenport për emërimin e nënkryetarëve nga komuniteti serb në komunat në veri: Katarina Axhançiç, nënkryetare e Komunës së Mitrovicës Veriore, Slagjana Pantoviç, nënkryetare e Komunës së Zveçanit, dhe Dragana Miletiç, nënkryetare e kuvendit komunal në Leposaviq, si dhe për emërimin nga Kuvendi me vota të fshehta të Sergjan Sentiç në pozitën e zëvendës Avokatit të Popullit”, njoftojnë nga kryeministria, përkundër se këtë të premte kryetari i Zveçanit, Ilir Peci, bëri me dije se e ka shkarkuar nënkryetaren Pantoviç, siç tha ai për mospërmbushje të detyrave dhe tejkalim të kompetencave.

Ndërsa, potencohet se Davenport “i shprehu mirënjohje Kryeministrit për progresin me Njësisë së Përkthimit dhe Harmonizimit, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit”.

Ndryshe, Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, në cilësinë e kryesuesit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), kishte propozuar një plan prej nëntë pikash për de-eskalimin e situatës në Veri të Kosovës.

Çfarë parashohin nëntë pikat e OSBE-së?

Pika e parë për shtensionimin e situatës në Veri, kërkon nga Kosova dhe Serbia të rikonfirmojnë përkushtimin e tyre ndaj Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit.

Pika e dytë kërkon që Qeveria e Kosovës të tërheqë forcat e Njësisë Speciale nga Veriu ndërsa në anën tjetër Serbia të ulë gatishmërinë luftarake të Forcave të Armatosura.

Policia e Kosovës, thotë më tej pika e tretë, duhet të merret me sigurinë në terren në pjesën veriore nën asistimin e KFOR-it dhe EULEX-it.

Në pikën e katër të udhërrëfyesit për de-eskalimin e situatës në Veri, kërkohet anulimi i protestave dhe rrjedhimisht rifillimi i jetës normale në këtë pjesë të vendit, pasi që rikthehen në funksion shërbimet e komunave për qyetatarët ku në komuna aksesi u jepet vetëm punonjësve komunal.

Pika e pestë e planit të OSBE-së thotë në mënyrë të qartë se kryetarët e sapozgjedhur në Veri japin dorëheqjen në verën e vitit 2023, duke i hapur rrugë kështu zgjedhjeve të parakohshme komunale.

Pika e gjashtë saktëson se zgjedhjet e parakohshme komunale në Veri mbahen këtë vit.

OSBE-ja mbështet procesin zgjedhor, duke rritur legjitimitetin dhe besimin ndërmjet komuniteteve, thotë pika e shtatë.

Pika e tetë tregon se OSBE-ja angazhon të rinj në programet dhe proceset e pajtimit.

Pika e nëntë qartëson se OSBE-ja mbështet zbatimin me mirëbesim të dispozitave të dakorduara dhe rifillimin e dialogut kuptimplotë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore