Kosova

Kurti sqaron Ligjin e ri për viktimat e krimit: Kompensimi do u bëhet menjëherë


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se miratimi i projektligjit për Kompensimin e viktimave të Krimit do të mundësoj qasje të menjëhershme në kompensimin e këtyre të fundit.

“Me Projektligjin për Kompensimin e Viktimave të Krimit që miratuam dje në mbledhjen e Qeverisë, viktimave të dhunës në familje, viktimave të trafikimit me qenie njerëzore dhe viktimave të dhunimit, që kryesisht janë gra dhe vajza, do t’iu mundësohet qasje e menjëhershme në kompensim”, ka thënë Kurti.

“Kjo për t’ua lehtësuar financiarisht përballjen me pasojat e dhunës, por mbi të gjitha për t’ua njohur e pranuar dhimbjen që padrejtësisht e kanë vuajtur”.

Sipas kryeministrit, ligji i ri vjen në vazhdën e përpjekjeve “për të çrrënjosur dhunën me barazi gjinore”.

Qeveria e Kosovës.

“Ka shumë nene të dobishme e përparimtare në legjislacionin tonë që presin zbatim”, shkroi Kurti në Facebook, duke u shprehur i vetëdijëshëm se duhet ende punë “edhe në përmirësimin e pasurimin e mëtejmë të ligjeve”.

“Asnjëherë nuk duhet të jemi të vetëkënaqur kur angazhohemi për barazi”.

Ndërkaq, theksoi se për të parandaluar dhunën, në radhë të parë duhet angazhim e punë e përbashkët institucionale e shoqërore.

“Dhuna ka shumë forma e ne duhet ta trajtojmë çdo ndërthurje të diskriminimit të përjetuar nga gratë e vajzat. Duhet të aktivizohet çdo segment i shoqërisë por urgjenca bie mbi policinë dhe institucionet e drejtësisë. Mosndëshkimi është vepër tjetër që nuk guxojmë ta tolerojmë”.

Kryeministri theksoi se, “beteja për ta eliminuar këtë problem madhor është e përditshme, e përhershme dhe qeveria jonë është në ballë të saj. Shteti që kemi ëndërruar, jemi angazhuar e kemi luftuar për të, është shtet i lirë, i drejtë e i barabartë për të gjitha e për të gjithë”.

Më dhjetë dhjetor, për përmirësimin e gjendjes së viktimave të krimit në Kosovë, Qeveria ka miratuar Projektligjin për kompensimin e tyre.

Ndërkaq, ishte zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu ai që e prezantoi këtë projektligj dhe bëri thirrje para kabinetit qeveritar për miratimin e tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore