Lajme

Kurti s’mund ta arsyetojë pranimin e “Zajednicës” – “ka fituar legjitimitetin popullor për të mos e themeluar atë”


Foto: Albanian Post

Përpjekja e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për ta arsyetuar pranimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, nga njohës të çështjeve politike po konsiderohet si përpjekje e “kotë”, dhe në të njëjtën kohë e pajustifikuar, pasi që vlerësojnë se i njëjti ka fituar legjitimitetin popullor për të mos e themeluar këtë mekanizëm.

E gjithë kauza e opozitarit Albin Kurti – angazhimi më i madh kundërshtues politik i tij – u shkërmoq në momentin kur ai, në kostumin e Kryeministrit të Kosovës – pozita më e rëndësishme institucionale në Kosovë – pranoi draftin e propozuar nga bashkësia ndërkombëtare për Asociacionin. Madje, këtë e bëri edhe pa e dhënë as më të voglin shpjegim.

Dikur ish-ministër në Qeverinë e Kosovës, në dikasterin e Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, thotë se Kurti për të ardhur në pushtet ka përdorur dy kauza – njëra nga to Asociacioni – e që të dyja, thekson ai, i ka braktisur në momentin që erdhi në pushtet.

“Votuesit e hipnotizuar nga propaganda e Kurtit, e votuan atë, ndër të tjera për dy arsye kryesore: së pari besuan se Kurti do ta bëhej babai i bashkimit kombëtar, dhe së dyti, se ai do të pamundësonte themelimin e ‘Zajednicës’”, thotë Çollaku në një bisedë për Albanian Post.

“Fatkeqësisht, posti i kryeministrit e tjetërsoi Kurtin ose ndoshta vetëm nxori në pah mendjen dhe karakterin e tij të vërtetë të panjohur për publikun deri tani. Si rrjedhojë, Kurti publikisht hoqi dorë nga bashkimi kombëtar duke fajësuar Kushtetutën e Kosovës, dhe gjithashtu publikisht e pranoi themelimin e “ Zajednicës”, shtoi.

Bekim Çollaku

Si pasojë e një ndryshimi të tillë, pohon ai, në këtë rast mund të thuhet se Kurti nuk mbajti fjalën e dhënë, “nuk përmbushi premtimet e tij elektorale dhe u zhvesh tërësisht nga parimet e tij të cilat atë e kanë bërë popullor dhe e kishin sjellur në pushtet”.

“Tani, veprimet e tij dhe kjo trashëgimi politike e tij, nuk lënë shumë hapësirë për ndonjë të ardhme politike për të. Se a do ta këtë një fat të tillë Kurti, mbetet të presim që ta kuptojmë”, thekson ish-këshilltari i ish-presidentit Hashim Thaçi.

Kryeministri Kurti kur e pranoi Asociacionin, nuk foli për protestat masive që i kishte organizuar dhe gazin lotsjellës që e kishte hedhur në Kuvend si kundërshtim ndaj Asociacionit, për të cilin kishte përzgjedhur që ta quante në gjuhën serbe “Zajednica”, kjo për të treguar dëmin që i kanosej Kosovës në rast zbatimi të këtij mekanizmi.

Edhe në seancën e së enjtes së 3 nëntorit, ku ishte thirrur për të raportuar për dinamikën e dialogut me Serbinë, pas zhvillimeve të fundit në këtë proces, posaçërisht pas pranimit të draftit të Asociacionit, Kurti nuk zbuloi diçka konkrete, por vetëm u përpoq që të “argumentonte” se është i mirë dhe se nuk është “Zajednicë”.

“Dokumenti më dha përshtypjen e një iniciativë më serioze që nuk e kisha takuar më parë. Njëjtë për nga rëndësia më bëri përshtypje fakti që zyrtarë të lartë ishin marrë me tekstin e statutit. Më thanë se hartimin e kanë bërë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe më thanë se është në përputhje me Ligjet e Kosovës”, deklaroi Kurti.

Por, Çollaku vlerëson se Kurti nuk mund ta arsyetojë me asnjë argument themelimin e ‘Zajednicës’, sepse, siç pohon ai, “ka fituar legjitimitetin popullor për të mos e themeluar atë”.

“Mirëpo, Kurti ka pozitën e kryeministrit, pra mundësinë legale që ta themeloj ‘Zajednicën’. Prandaj, me lehtësi ai tani ka vendosur që përkrahja popullore nuk është më e rëndësishme se mbajtja e postit të kryeministrit”, shton ai.

Kjo, beson ai, është zgjedhja e tij racionale “në një moment kur është tërësisht i zhveshur nga parimet, premtimet dhe morali politik”.

Ngjashëm sikur Çollaku, mendon edhe Belgzim Kamberi nga Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari”.

Kamberi në një prononcim për Albanian Post, përpjekjen e Kurtit për të arsyetuar pranimin e Asociacionit e sheh të ngjashme me shumë tema të tjera “që e kanë simbolizuar profilin e tij të dikurshëm politik”.

“Si ato ku kryeministri Kurti përpiqet të paraqitet si një politikan që ka ndryshuar vetëm metodat, taktikat dhe strategjitë; por jo edhe idealet dhe kauzat. Pra që edhe pragmatizmi i tij ‘RealPolitik’ nuk e cenon ‘Idealpolitik’-en e tij”, thotë ai për AP.

“Në këtë kuptim, përkalimi nga shpallja e vdekjes së ‘Zajednicës së serbofilëve’ në ‘Asociacion evropian’ nuk përbën ndonjë dallim nga përkalimi i tij prej ‘Flamurit lara-lara’ në ‘Flamurin e Republikës’”, mendon ai.

Thjesht, sipas tij, Albin Kurti po dëshmon se i takon “politikanëve të zakonshëm të vazhdimësisë”.

“Historia ka njohur shpesh shembuj ku marrëveshjet thellësisht të kontestuara politikisht dhe shoqërisht janë zbatuar në pushtet pikërisht nga ata/o që më së shumti i kanë kundërshtuar në opozitë. E raste të tilla kemi pasur edhe në Kosovë. Dje dhe sot”, vlerëson Kamberi.

Belgzim Kamberi

Kryeministri Kurti, ndonëse e ka pranuar draftin evropian për Asociacionin, deri më tani nuk e ka bërë publik, dhe për ta arsyetuar këtë, ai ka deklaruar se kjo ka qenë kërkesë e emisarëve evropiano-amerikan, të cilët ja sollën Kurtit draftin të shtunën e 21 tetorit.

Përveç se nuk e ka bërë fare publik përmbajtjen e asaj që e ka pranuar, edhe retorika e kreut të ekzekutivit ka qenë në funksion të tentativa të tij për ta fajësuar opozitën se kjo ka ardhur si derivat i marrëveshjeve të mëhershme në kuadër të dialogut me Serbinë, paçka se kishte deklaruar si opozitar se dakordimet e pushtetarëve të mëparshme që ai i konsideronte të dëmshme për Kosovën, e posaçërisht këtë për Asociacionin, nuk do t’i zbatonte.

Prandaj, vlerëson Kamberi, se Kurti me sjelljen e tij karshi Asociacionit “nëpërmjet temave të nënshkrim/pranimit etj, si dhe duke shmangur diskutimin për përmbajtjen e tij (Statutit), po e pamundëson debatin demokratik për cilësinë e Asociacionit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore