Kosova

Kurti, senatorëve amerikanë: Duhet të ndërmerren një varg hapash për të vazhduar dialogun me Serbinë


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë të përbashkët me senatorët amerikanë, Jeanne Shaheen dhe Peter Welch, të cilët po qëndrojnë në Kosovë, ka bërë të ditur se të dy politikanët amerikanë i ka njoftuar për sulmet e 24 shtatorit në Banjë të Zveçanit, duke kërkuar nga ata që të rritet siguria në Kosovë.

Kurti ka thënë se Serbia duhet të mbahet përgjegjëse dhe të gjitha këto veprime kërcënuese të ndalen në mënyrë që dialogu Kosovë-Serbi, të ketë edhe një shans.

“Është koha që Serbia të mbahet përgjegjëse, përndryshe këto sjellje dhe sulme agresive do të vazhdojnë edhe më tutje. I njoftova senatorët që dialogu i lehtësuar nga BE-ja s’mund të vazhdojë sikurse s’ka ndodhur asgjë, s’mund të vazhdojmë punën edhe më tutje”.

“Kapitulli i dialogut për ndërmjetësim duhet të marrë parasysh edhe veprimet sulmuese agresive të Serbisë dhe përpjekjet e saj për aneksimin e Kosovës”, ka deklaruar Kurti.

Ai tutje ka potencuar se duhet të ndërmerren “një varg hapash” që dialogu të ketë edhe një shans “për të pasur sukses”.

“Besoj që është shumë e rëndësishme që të kemi një qasje të balancuar, në mënyrë që të dënohet çdo lloj e shkeljes së marrëveshjes bazë e arritur më 22 shkurt në Bruksel dhe aneksuar për zbatim në Ohr më 18 mars të këtij viti”.

Edhe presidentja Osmani, gjatë konferencës me senatorët, ka kërkuar që terroristet e Serbisë të dorëzohen në Kosovë dhe të gjykohen nga sistemi i drejtësisë.

Po ashtu të rriten garancitë e sigurisë në kufirin Kosovë-Serbi.

“Gjëja më e rëndësishme tani në mënyrë që të parandalohen akte të tilla agresioni që do ta destabilizonin të gjithë rajonin tonë është që Serbia të mbahet përgjegjëse për aktin e agresionit, t’i dorëzojë terroristët në Republikën e Kosovës që të përballen me sistemin tonë të drejtësisë dhe të rriten garancitë e sigurisë në raport me Kosovën, që të mbrohet kufiri Kosovë-Serbi nga sulmet e tilla në të ardhmen”.

Po ashtu senatorja amerikane nga radhët e Demokratëve, Jeanne Shaheen, pas takimet me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, duke folur për sulmin terrorist të 24 shtatorit tha se në këtë fazë është shumë e rëndësishme që përgjegjësit e këtij akti terrorist të japin llogari para drejtësisë.

“Shpresojë me të vërtetë që Serbia do të bashkëpunojë për këtë çështje”.

“Kjo është e rëndësishme për qytetarët e Kosovës, derisa i shohim sfidat që janë nëpër botë tani, lufta në Ukrainë e me atë që sapo ndodhi në Lindjen e Mesme”.

Vizita e senatores Shaheen nuk është e para në Kosovë. Në prill të vitit 2021, së bashku me homologët e saj, Chris Murphy dhe Thom Tillis, ajo kishte qëndruar në Prishtinë në kuadër të një vizite në vendet e Ballkanit Perëndimor pas fillimit të agresionit rus në Ukrainë në shkurt të atij viti.

Senatorët vijnë në një kohë kur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë ngritur në nivele shpërthyese, posaçërisht pas sulmit terrorist të paramilitarëve serbë në fund të shtatorit në fshatin Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës.

Ligjvënësit amerikanë kanë qenë shumë aktivë edhe nëpërmjet lidhjeve telefonike dhe letrave dërguar autoriteteve kosovare dhe serbe për nevojën e de-përshkallëzimit të situatës dhe zbatimin e marrëveshjeve që palët kanë marrë përsipër, veçanërisht në fundit të shkurtit në Bruksel dhe në mes të marsit në Ohër, përfshirë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Osmani, senatorëve amerikanë: Serbia t’i dorëzojë terroristet në Kosovë që të gjykohen nga institucionet e drejtësisë

Shaheen thotë se përgjegjësit e 24 shtatorit duhet të japin llogari: Serbia të bashkëpunojë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore