Lajme

Kurti: Qeveria është duke ndërmarrë veprime për të ulur konsumin e energjisë


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i shoqëruar nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, të mërkurën ka vizituar Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), prej ku ka dhënë zotimin për të punuar bashkë edhe më shumë në vitin 2023.

Kreu i ekzekutivit, ka thënë se Qeveria është duke ndërmarrë të gjitha hapat në dispozicion për të siguruar ulje të konsumit të energjisë.

Ai ka shtuar se si Qeveri janë duke u angazhuar edhe për “të ndihmuar buxhetin e familjeve e buxhetin e shtetit në kohë krize”.

Kurse, ka veçuar subvencionimet për familjet që të blejnë pajisje efiçente për ngrohje dhe për ato që kursejnë energjinë elektrike.

“Në mes të kësaj sfide që i ka shkundur themelet e njërit prej sektorëve më të lëna pas, KEK-u, me ndihmën e Qeverisë së Kosovës, ka arritur që të përmbyll projekte të cilat do të sigurojnë vazhdimin e funksionimit të Korporatës dhe përforcimin e kapaciteteve të saj në të ardhmen”, tha Kurti, njofton Zyra e Kryeministrit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Kryeministri ka bërë të ditur se Qeveria ka siguruar grante dhe kredi të cilat do të mundësojnë vënien në jetë të një projekti Solar prej 100 Megavat kapacitet, që sipas tij “është investimi i parë publik në kapacitete gjeneruese që nga fillimi i operimit të bllokut B2 më se 4 dekada më parë”.

“Projektet e nisura në KEK shënojnë hapjen e një kapitulli të ri për Kosovën, ku roli i KEK-ut vazhdon të jetë i domosdoshëm dhe përputhet me shumëllojshmërinë e kërkesave të një sektori modern edhe të qëndrueshëm”, u shpreh ai.

Ndryshe në dhjetor 164 keqpërdorime të energjisë u raportuan nga Ministria e Ekonomisë se kishin ndodhur vetëm brenda një jave me energji elektrike.

Për shkak të vjedhjes së rrymës, deri në 40 konsumatorë shkyçen brenda një dite nga rrjeti elektrik.

Që nga muaji gusht, atëherë edhe kur kishin filluar paralajmërimet për krizë energjetike që do të mbërthej edhe Kosovën, ku meqë rast do të ishte e nevojshme të fillohej edhe me reduktime të rrymës për shkak të çmimit të lartë në berzat ndërkombëtare, Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS), kishte rritur kontrollin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore