Lajme

Kurti: Pres që me urgjencë të trajtohet çështja e të pagjeturve në takimin e 2 majit


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca, në Ditën e të Zhdukurve kanë bërë homazhe te përmendorja dedikuar Personave të Zhdukur me dhunë gjatë luftës.

Kryeministri para gazetarëve ka deklaruar se ka pritshmëri që me urgjencë të trajtohet çështja e të pagjeturve në takimin e 2 majit me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiç.

“Ne në aneksin për zbatimi të Ohrit të 18 marsit, kemi thënë se është çështje urgjente, çështja e të pagjeturve dhe unë pres që ashtu me urgjencë të trajtohet në takimin e 2 majit çështja e të pagjeturve e cila nuk i ka viktimë vetëm të pagjeturit, por edhe familjet e tyre dhe mbarë popullin tonë”.

“Të pagjeturit janë një situatë e veçantë, ku ankthi është edhe më i madh sesa pikëllimi, ku zemërimi është më i madh sesa vajtimi. Andaj pres që më datën 2 maj nga ndërmjetësit, lehtësuesit evropian siç e kemi thënë në Ohër me 18 mars ta trajtojnë me urgjencë këtë çështje”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca

Tutje kryeministri ka deklaruar se nevoja për drejtësi është më e madhe se kurrë më parë.

“Kemi nevojë për drejtësi, kemi nevojë për përgjegjësi, kemi nevojë që kriminelët e fajtorët të ndodhen prapa grilave dhe për këtë na nevojitet edhe mbështetja ndërkombëtare, por edhe mobilizimi ndërkombëtarë”.

Ai tutje bëri të ditur se, “në pesë varreza masive në Serbi, janë ekosomuar deri më tani rreth 150 kufoma”.

Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se ky është njëri ndër krimet më “të tmerrshme” nga gjenocidi i Serbisë në Kosovë.

“Sot po i përkujtojmë të gjithë të zhdukurit me dhunë nga Serbia, pa dyshim që njëri ndër krimet më tmerrshme të gjenocidit të Serbisë ishte rrëmbimi dhe zhdukja me dhunë e mijëra qytetarëve shqiptarë nga ana e aparatit shtetërorë ushtarak dhe policorë të Serbisë.

Teksa kujtoi se edhe mbi 1 mijë e 600 persona, vazhdojnë të jenë të pagjetur.

“Jo pse nuk e dimë ku janë, e dimë saktë, e dimë edhe përgjegjësinë për këta të rrëmbyer e të zhdukur me dhunë është shteti i Serbisë”.

“Me vetë faktin që shumë prej atyre që u gjetën, u gjetën pikërisht në institucione të cilat i ndërtoi edhe vetë Serbia, siç është rasti i poligonit ushtarak tregon që Serbia e di saktë ku ndodhën ata, çka na mbetet neve është që jo vetëm t’i kujtojmë por edhe ta ngrisim zërin vazhdimisht e të punojmë së bashku me të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë që fati i tyre të zbardhet e që Serbia të jep përgjegjësi dhe llogari”.

Në luftën e fundit në Kosovë sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, janë vrarë rreth 13 mijë e 500 persona. Shumica prej të vrarëve janë civilë shqiptarë.

Nga viti 2000 e deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara (UNMIK), ndërsa që nga viti 2008 Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) është përgjegjës për hetimin e krimeve të luftës.

Në vitin 2018, ky mision i ka dorëzuar dokumentet në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykatat vendore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore