Lajme

Kurti për Mon Balaj e Arben Xheladinin: Raporti e tregoi se vrasjet e tyre ishin të panevojshme, ka ngelur të na përgjigjet OKB-ja për këtë rast


Kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në një fjalim të mbajtur pasi që ka bërë homazhe te pllaka përkujtimore e Mon Balajt e Arben Xheladinit, me rastin e 16 vjetorit të vrasjes së tyre, ka folur sërish për qëllimet e Serbisë në Kosovë, duke treguar se si Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbë është i dëmshëm.

Përkundër se në deklarime të tjera e pranon se Asociacioni mund të diskutohet brenda planit franko-gjerman e këtë plan e quan bazë të mirë, ajo prapë tregon se vetë “Zajednica” është problematike.

“Serbia është në panik, duan që t’i bëjnë bashkë sa më parë 10 kryetarë të komunash të së njëjtës parti, që e dirigjojnë ata, ta shpallin një president ‘Zajednicë’ e me atë ta shkelin ministrin tonë të Qeverisë, ministrin nga radhët e komunitetit serb”.

Ai ka shtuar se kjo është “e padrejtë dhe e gabueshme, e dëmshme dhe e papranueshme”.

“Kosova kë nevojë për më shumë demokraci, e ndër aspektet e rëndësishme të demokracisë është pluralizmi politik. Te komuniteti serb në Kosovë njëmend nuk ka pluralizmë politik, mirëpo ai megjithatë po lind me qeverisjen tonë demokratike e progresiste”.

Sipas tij, si “Zajednicë” komunash ka nisur edhe Republika Srpska në Bonje e Hercegovinë dhe “jam i bindur që këtë nuk e duan serbët e Kosovës, por jam i bindur po ashtu që mu këtë e do Serbia”, deklaroi Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Teksa ka folur shkurtimisht edhe për hetimet që janë bërë për vrasjen e Balajt e Xheladinit.

“Shefi i shtyllës së parë të UNMIK-ut në atë kohë, Robert Dean, pati bërë një hetim në pranverë, nga i cili doli konkluzioni që për menaxhimin e asaj demonstrate vrasjet e Monit dhe të Arbenit kanë qenë edhe të panevojshme, edhe të evitueshme”.

“Policët e UNMIK-ut shfrytëzuan imunitetin ndërkombëtar, ndërkaq Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka ngelur t’i përgjigjet Ministrisë sonë të Drejtësisë”.

Sipas kryeministrit, pakoja e Ahtisaarit ishte kundërshtuar me të drejtë atë kohë.

“Aty kishte komuna të reja mbi baza etnike, zona të veçanta serbizuese rreth kishave e manastireve ortodokse, shuarje përfundimtar të Trupave Mbrojtëse të Kosovës, pjesëmarrje të Kosovës në borxhin e jashtëm të Serbisë, e drejta e vetos për deputetët serbë me ulëse të rezervuara e të garantuara në Kuvendin e Kosovës, dhe vazhdimi i sundimit ndërkombëtar me fuqi ekzekutive mbi nene e pa llogaridhënie ndaj neve”.

Ndër të tjera, ka folur edhe për atë që i ka paraprirë protestës së 10 shkurtit të vitit 2007.

“8 ditë më herët, u pat publikuar paketa e ndërmjetësit Ahtisaari për të cilën ne kishim shumë kritika e që i shpalosëm në tubime publike me qytetarë, anë e kënd Kosovës. Ishim të pakënaqur sepse të bindur që Kosovës i takon shumë më tepër, që populli i Kosovës meriton shumë më shumë dhe që padrejtësitë e reja nuk i durojmë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore