Lajme

Kurti: Në takimin e qershorit me Vuçiç-in diskutojmë për kapitullin e ri të dialogut


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas darkës tradicionale të liderëve të Ballkanit Perëndimor të shtruar nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell në Bruksel, ka thënë se në takimin e paraparë që të mbahet në mesin e qershorit, mes tij dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, do të diskutohet rreth mënyrës se si do të ecet tutje në procesin e dialogut.

“Do të jetë diku aty rrotull mesit të qershorit, nuk mund ta them tani saktësisht, mirëpo do të ketë takim për të diskutuar se si të vazhdohet me dialogun më tej, cili duhet të jetë kapitulli i ri i këtij dialogu, me çfarë agjende e kështu me radhë. Pra, kemi nevojë të dakordohemi për procesin përpara, me qenë se nuk mund të vazhdojmë ashtu siç ishte në këto vitet e fundit e me qeveritë e kaluara”, tha Kurti.

“Duam dialog të përgatitur mirë, parimor, si palë të barabarta, në të cilën, natyrisht, thelbi është ai që tashmë e ka thënë edhe presidenti i ri amerikan, Joe Biden, por edhe shumë liderë të tjerë botërorë se zgjidhja e ka emrin në formën e togfjalëshit: njohja reciproke. Pra, as Serbia s’e njeh Kosovën, por as Kosova s’e njeh Serbinë dhe njohja reciproke është ajo që do të kontribuonte shumë për paqen, stabilitetin dhe sigurinë afatgjate në Ballkan”, shtoi ai.

Kurti ka thënë po ashtu se njohja e Kosovës nga vendet që s’e kanë njohur do ta çojë vendin drejt integrimit evropian.

“Konfirmuam interesin dhe gatishmërinë tonë për të bërë progres drejt BE-së dhe në të njëjtën kohë diskutuam me miqtë dhe kolegët tanë këtu në Bruksel si të na ndihmojnë të bëjmë reforma në vendet tona dhe nga ana tjetër të bindim pesë shtetet anëtare që nuk na njohin, ta njohin pavarësinë e Kosovës”, shtoi Kurti.

Ai ka ripërsëritur edhe njëherë nevojën për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës, pasi sipas tij “Republika e Kosovës është shtet me të rinj shumë të talentuar që e shohin BE-në si mundësi si për studime, ashtu edhe për punë këtu, e më pas të kthehen e të kontribuojnë në shtetin e tyre. Ne na duhet liberalizimi i vizave”.

“Jemi shteti i vetëm në Evropë që nuk e ka liberalizimin e vizave. Kemi ende regjim të vizave, që është pengesa më e madhe për të rinjtë e të rejat e talentuara në Kosovë për të studiuar dhe për të bërë biznes. Mosha mestare në Kosovë është 30 vjet dhe me një rini kaq të talentuar është aq çuarje dëm të kemi këtë mur të izolimit”.

Ai po ashtu theksoi se janë tri elemente të cilat do të mund ta përshpejtonin integrimin e vendeve të Ballkanit në BE.

“Edhe më tej në Ballkanin Perëndimor, siç e dini, kemi edhe kriminelë të luftës dhe të paqes të cilët dominojnë me institucionet dhe partitë politike. Kjo duhet të marrë fund dhe në këtë mënyrë besoj që do të krijohen kushtet edhe për më shumë shpresë brenda Ballkanit Perëndimor e më shumë besim në të ardhmen, dhe për një bashkëpunim i cili është afatgjatë dhe i drejtë”, potencoi Kurti.

Kryeministri Kurti të martën ka qëndruar në Bruksel, takimin atje e ka cilësuar si darkë tradicionale të liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe jo si takim që lidhet me dialogun.

Në fund muajit prill, Kryeministri Kurti ka qëndruar në vizitë dy ditore në Bruksel ku ka zhvilluar takime me krerët më të lartë të BE-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore