Lajme

Kurti: Katër herë në dy vitet e fundit Serbia ka sjellë ushtrinë në kufi – është koha për reflektim


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në Samitin e Procesit të Berlinit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në fjalimin e tij në sesionin e parë të Samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë, ka deklaruar vetëm në dy vitet e fundit Serbia ka sjellur katër herë ushtrinë e saj në kufirin e Kosovës.

Kurti, ka thënë se është e padrejtë lëvizja e lirë e autorëve në Serbi që kanë kryer sulmin në Banjë të Zveçanit më 24 shtator.

“Në një sulm terrorist kundër Kosovës më 24 shtator, një nga zyrtarët tanë policorë u vra, por autorët akoma enden të lirë në Serbi edhe pse publikisht e pranuan përfshirjen e tyre”.

“Ky ishte një akt i ligë sponsorizuar nga Serbia, siç tregojnë provat e pakundërshtueshme. Ne kemi konfiskuar mbi 5 milionë euro armatim të sofistikuar dhe municione të prodhuara në Kragujevc dhe Çaçak. Katër herë në dy vitet e fundit Serbia ka sjellë ushtrinë e saj në kufirin tonë”, ka thënë ai.

Kreu i ekzekutivit, konsideron se tashmë është koha që të reflektohet dhe të mos vazhdohet puna si zakonisht, pas sulmit që ndodhi në Veri të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në në Samitin e Procesit të Berlinit.

“Edhe njëzet e pesë vite pas fushatës gjenocidale, dhe pas kaq shumë raundeve të dialogut, Kosova ende kërcënohet me invazion nga Serbia. Ky moment na kërkon të reflektojmë dhe të mos e vazhdojmë punën si zakonisht. Një akt i tillë nuk duhet të kalojë pa u ndëshkuar”.

Sipas tij, qytetarët në Ballkanin Perëndimor sot nuk duhet të jetojnë nën frikën e një konflikti nesër, por të punojnë për një të ardhme së bashku.

“Ne si udhëheqës të tyre kemi përgjegjësinë për të ndërtuar atë të ardhme të përbashkët. Dhe si udhëheqës, ne duhet të përfshihemi në atë proces me mirëbesim. Kërkohet një angazhim me mirëbesim për të garantuar efektivitetin afatgjatë të marrëveshjeve tona dhe respektimin e të gjitha palëve të investuara në proces”.

Eskalimi në shkallë të gjerë i situatës në veriun e trazuar të Kosovës ka ndikuar substancialisht në bllokimin e ecurisë së procesit të dialogut që po i mbanë të zënë diplomatët perëndimorë përgjatë kësaj kohe.

Megjithëse BE-ja pret nga palët që të rikthehen në tryezën e negociatave nën kujdesin e lehtësuesve evropianë në Bruksel.

Pjesëmarrës në këtë ngjarje madhore, përveç liderëve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimorë, pritet të jenë edhe Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, komisionari i BE-së për Zgjerim, Oliver Verhelyi dhe shumë zyrtarë tjerë të BE-së e liderë të shteteve anëtare.

Gjatë Samitit, liderët e Ballkanit Perëndimor do të diskutojnë përparimin në tregun e përbashkët rajonal të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë zbatimin e marrëveshjeve rajonale të lëvizshmërisë të nënshkruara vitin e kaluar në Berlin.

Samiti do të njohë gjithashtu reduktimin vullnetar të fundit të tarifave të roaming midis rajonit dhe BE-së, për të cilin mbështetja e Komisionit dhe Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal ishte thelbësore.

Së fundi, partnerët e Ballkanit Perëndimor do të miratojnë një sërë deklaratash të përbashkëta në lidhje me bashkëpunimin në fusha të tilla si klima dhe ndotja, tranzicioni digjital, lehtësimi i tregtisë dhe transportit, ambicia për t’u bashkuar me Zonën e vetme të pagesave në euro dhe synimin për të krijuar një vëzhgues konvergjence.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore