Lajme

Kurti më kursimtar se zëvendësit e tij, Bislimi prin me shpenzime në Qeveri


Qeveria e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është më kursimtar se vartësit e tij, kur bëhet fjalë për shpenzimet që i takojnë me ligj.

Kurti ka shpenzuar afër 220 euro në muaj dreka për muajt prill- tetor të këtij viti.

Zëvendësi i Kurtit, Besnik Bislimi, është treguar më dorë lirë me shpenzime. Gjatë periudhës prill-tetor, Bislimi ka shpenzuar 12 mijë e 700 euro, e që pjesa kryesore e këtyre të hollave kanë shkuar për bileta të aeroplanit, pasi Bislimi është edhe shef i negociatave në mes Kosovës dhe Serbisë.

Shpenzimet e Qeverisë së Kosovës

Bislimi ka shpenzuar 3 mijë e 927 euro për bileta, ndërsa Kurti 3 mijë e 815 euro.

Shefi i Qeverisë 2 mijë e 583 euro i ka shpenzuar për karburante, 1 mijë e 804 për akomodim dhe 1 mijë e 327 është totali për dreka e darka.

Ndërsa, zëvendëskryeministrja, Emilija Redzepi, ka shpenzuar në total 11 mijë euro me stafin e saj.

Më pak shpenzime në kabinetin e Kurtit, ka bërë zyrtari për protokoll, Ismail Hakki Ustaibo me vetëm 39 euro mëditje.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ka thënë se duhen të kursehen taksat e qytetarëve, dhe sidomos në kohën e pandemisë.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu,

“Duhet të tregojmë përgjegjësi dhe menaxhim të mirëfilltë të buxhetit. Qytetarët duhet të mësohen se edhe në Kosovë institucionet mund të kursejnë e jo të bëjnë garë kush po shpenzon më së tepërmi”, ka thënë Gërxhaliu në RTVD.

Kurse në total Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri, Albin Kurti, për periudhën prill-tetor ka shpenzuar 62 mijë e 616 euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore