Lajme

Kurti me ambasadorin e Francës diskuton për planin franko-gjerman


Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, dhe ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, të hënën është takuar me Ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guerot, me të cilin ka diskutuar për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve.

Përmes njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, është thënë se propozimi evropian për normalizim të raporteve me Serbinë ishte tema kryesore gjatë bisedës.

“Marrëdhëniet bilaterale shumë të mira ndërmjet dy vendeve dhe mënyrat për avancimin e mëtejmë të tyre, dhe propozimi evropian për normalizim të raporteve me Serbinë, i përkrahur edhe nga Franca, ishin temat qendrore të bisedës”.

“Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar dhe konstruktive në dialog teksa dëshiron marrëdhënie të mira fqinjësore dhe integrim në BE dhe NATO, u shpreh kryeministri Kurti”, thuhet në komunikatë.

Teksa Kurti e ka falënderuar ambasadorin Guérot për rolin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Francës ndaj Kosovës, si në zhvillimin e brendshëm ashtu edhe në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar përmes anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Më 11 shkurt, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar edhe me këshilltarin e lartë i Departamentit të Shtetit Amerikan, Derek Chollet.

Interpretime të ndryshme për telefonatën e njëjtë janë lëshuar nga zyra e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe këshilltari i lartë i Departamentit të Shtetit Amerikan, Derek Chollet.

Derisa ky i fundit shkruan në Twitter pas telefonatës me Kurtin se e falënderon atë që pranoi propozimin franko-gjerman, tashmë të zyrtarizuar si Propozimi Evropian, zyra e kryeministrit lëshon komunikatë për të njëjtën telefonatë, por e transmeton më ndryshe atë për çfarë është diskutuar.

Chollet në cicërimën e tij është i prerë dhe thotë që Kurti e ka pranuar propozimin prandaj edhe e ka falënderuar.

Nuk është hera e parë që Kurti ka krijuar paqartësi në raport me çfarë është pajtuar e çfarë jo në këto bisedat me zyrtarë perëndimorë.

Njëjtë pati ndodhur edhe para disa ditësh, kur pas një darke në mes të Kurtit, zëvendësit të tij, Besnik Bislimi dhe emisarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, diplomati sllovak kishte shkruar në rrjetin e tij social se është i lumtur që Kurti po pranon zbatimin e të gjitha marrëveshjeve paraprake (ku bën pjesë edhe Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe).

Një ditë më vonë doli Kurti e tha se nuk është rënë dakord për çfarë shkruan Lajçak, por përsëriti se për marrëveshjet paraprake duhet të diskutohet në nivel horizontal, pra duke i trajtuar si të barabarta të gjitha nga 33 marrëveshjet e arritura ndër vite.

I pyetur përse Lajçak lëshoi atë koment në Twitter, nëse veç s’qenka arritur pajtim, ai refuzojë të komentojë, por sugjeroi gazetarët ta pyesin Lajçak-un.

Kurti thotë që e pranon propozimin e Bashkimit Evropian – i cili nuk e ka njohjen në qendër

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore