Shqipëria

Kurti: Me 14 qershor mbahet mbledhja mes Qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë në Gjakovë


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryeministri i Shqiperisë, Edi Rama.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë mbledhjes së Qeverisë ka bërë të ditur se me 14 qershor do të jetë mbledhja e përbashkët mes Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë.

Kurti, gjatë fjalimit të tij ka thënë se kjo do të jetë mbledhja e tretë mes dy Qeverive në më pak se dy vjet.

“Sot një javë do të jetë mbledhja e përbashkët mes Republikës së Kosovës e Shqipërisë e treta në më pak se dy vjet. Në mbledhje e deri tanimshme kemi nënshkruar 41 marrëveshje bilaterale, 39 prej tyre kanë gjetur zbatim të plotë e dy të tjera janë në fazën finale”.

Kryeministri, tutje ka thënë se kjo mbledhje mes dy Qeverive do të mbahet në Gjakovë.

“Mbledhjet e përbashkët të dy qeverive nuk na bëjnë bashkë vetëm për një ditë, ato na ofrojnë për herë e më shumë si shoqëri e si popull kësaj radhe Gjakova do të bashkoj e marrëveshjet që do të nënshkruajmë do të na ofrojnë edhe më shumë”.

Kryeministri tutje ka folur edhe për Fondin Sovran ku ka thënë se është në proces.

“Prej idesë në koncept, prej zotimit në projekt, fondi sovran po bëhet”.

Ai tutje ka sqaruar rëndësinë e Fondit Sovran për Kosovën.

“177 shtete të botës nga rreth 200 sa janë gjithsej kanë fonde sovrane. Trendi më i lartë i fondeve sovrane është shënuar në fillim të viteve 2000. Ndërmarrjet tona publike së bashku edhe me 24 mijë asete tjera do të barten nga Qeveria në fondin sovran”.

“Kësisoj Qeverinë po e bëjmë më të vogël, por shtetin më të fort e më të pasur. Fondi Sovran do të na vendosë në hartën e tregjeve botërore e financiare, ai do të jetë bërthama e sovranitetit tonë ekonomik”.

Kuvendi i Kosovës dhe ai i Shqipërise mbledhjen e fundit së bashku e kishin mbajtur në vigjilje të festës së 28 nëntorit, të dielën e 27 nëntorit 2022.

Adresim gjatë mbledhjes kishte mbajtur kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Pastaj mbledhja kishte vijuar me fjalimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe fjalimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Ndërsa, nga një fjalë përshëndetëse kishin mbajtur edhe kryetarët e grupeve parlamentare të Shqipërisë dhe të Kosovës.

Një mbledhje e ngjashme që ishte mbajtur për të arritur marrëveshje mes dy qeverive shqiptare ishte mbajtur edhe më 20 qershor.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe delegacioni shqiptar u pritën me nderime të larta nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nën përcjelljen e ministrave të Qeverisë së Kosovës.

Pas saj, ishte bërë edhe nënshkrimi i marrëveshjeve të arritura ndërmjet dy qeverive.

Në këtë mbledhje ishin nënshkruar 19 marrëveshje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore