Lajme

Kurti: “Le të marrim të gjithë nga pak nga përditshmëria e muajit të Ramazanit dhe ta bëjmë përditshmëri për tërë vitin, me fat Fitër Bajrami”


Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës

Pak pas faljes së namazit të Fitër Bajramit, i menjëhershëm ishte urimi i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, për këtë ditë të veçantë për besimtarët e fesë islame.

“Pas një muaji agjërim, vetëpërmbajtje dhe sakrificë, besimtarët myslimanë sot ndajnë gëzimin e Fitër Bajramit” nis shkrimin në llogarinë t ij në Facebook, Kurti.

“Le të marrim të gjithë nga pak nga përditshmëria e muajit të Ramazanit dhe ta bëjmë përditshmëri për tërë vitin. Agjërimi le të na bëjë më falënderues për begatitë. Vetëpërmbajtja le të na bëjë më të disiplinuar ndaj lakmisë. Sakrifica le të na bëjë më solidarë me njëri-tjetrin”, ka shkruar kryeministri.

“Me urimin dhe shpresën që agjërimi dhe lutjet tuaja janë pranuar, me fat të gjithëve Fitër Bajrami”, ka uruari ai.

Pas përfundimit të muajit të Ramazanit, besimtarët e fesë islame kremtojnë këtë të hënë festën e Fitër-Bajramit.

Në Kosovë, manifestimi qendror mbahet në Xhaminë e Madhe të Prishtinës.

Namazi i Bajramit u fal në ora 06:09, të cilit i priu kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat Sahiti.

Hytben e Fitër-Bajramit e mbajti Myftiu Naim Tërnava, i cili ju drejtua opinionit të gjerë me mesazhin e kësaj feste.

Me rastin e Fitër-Bajramit, Kryesia e BIK-ut organizon pritje përurimi në selinë e Kryesisë nga ora 9:00-12:00.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore