Lajme

Kurti: Kosova i humbi mbi 300 milionë euro nga Serbia që nga viti 1999


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se strukturat paralele në komunat veriore i kanë kushtuar qytetarëve dhe taksapaguesve në pjesën tjetër të vendit rreth 320 milionë euro për shkak të mosfaturimit të energjisë dhe 17 milionë euro nga ato të furnizimit me ujë që nga viti 1999.

“Strukturat paralele nuk lejojnë faturimin e energjisë elektrike dhe pengojnë zbatimin e një marrëveshjeje energjetike të arritur në dialog para 10 viteve. Pa nxitje për të kursyer, konsumi në këto komuna u rrit me mbi 70 përqind në një dekadë, pjesërisht për shkak të kultivimit të drogës dhe kriptominimit”, shkroi ai në Twitter.

Ai tha se Kosova ka humbur edhe mbi 300 milion euro të tjera për shkak të veprimeve të Serbisë, si mbajtja e tarifave të transmisionit dhe detyrimi i tregtarëve që t’i paguajnë TVSH-në Serbisë për tregtinë e energjisë elektrike.

“Edhe tani, refuzimi i Beogradit për të lejuar tregtinë në Kosovë-Serbi i kushton Kosovës deri në 10 milionë euro në muaj. Sigurisht që për këto padrejtësi nuk kanë faj qytetarët tanë në komunat veriore”, tha Kurti.

Kreu i ekzekutivit kosovar tha se qytetarët atje e kuptojnë dhe e pranojnë se pagesa për shërbimet bazë si energjia elektrike dhe uji janë gjëra normale dhe se kjo do të mundësonte investimet e nevojshme për të përmirësuar më tej cilësinë e shërbimeve.

“Ata kanë të drejtë të kenë akses në shërbime të tilla dhe të jetojnë të lirë nga krimi i organizuar, presioni dhe kërcënimet nga strukturat ilegale të udhëhequra nga Serbia”.

“Qeveria ime është e përkushtuar për të përmirësuar cilësinë e jetës së të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe për t’u ofruar atyre lirinë, sigurinë dhe mbrojtjen që meritojnë”, shtoi tutje ai.

Ndryshe, më 21 qershor, Kosova dhe Serbia janë pajtuar në Bruksel për udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjes për energjinë elektrik në veri. Marrëveshja ishte arritur në vitin 2013, por nuk ishte zbatuar asnjëherë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore