Lajme

Kurti komenton ditën e eskalimit ku u lënduan 30 ushtarët e KFOR-it: “Mendoj se ia dolëm mirë”


Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, deklaroi për “The Geopost” se mendon “se ia dolëm mirë” pas situatës së krijuar në veri të vendit të hënën e 29 majit.

“Pra ishim në një situatë të vështirë, ku nuk kishim një zgjidhje ideale, por megjithatë mendoj se ia dolëm mirë dhe i jemi shumë mirënjohës për gjithë ndihmën dhe mbështetjen që na kanë dhënë dhe po na japin”, u shpreh kreu i Qeverisë.

Lidhur me vendimin për dërgimin e katër kryetarëve të komunave veriore, i cili shkaktoi përshkallëzimin e tensioneve në veri të Kosovës, Kurti u shpreh se autoritetet “nuk kishin zgjedhje tjetër”.

“Jam në komunikim të vazhdueshëm me ambasadorët e QUINT-it në Kosovë dhe sigurisht kur u mor vesh procesi zgjedhor, të cilin e kishim shtyrë për katër muaj në katër komunat e veriut, kur dihej rezultati, kur u bë dhe betimi, nuk kishim zgjidhje tjetër përveçse kryetarët e komunave të fillonin punën në vendin e tyre të punës”, shtoi ai.

Kurti arsyeton në intervistën për “The Geopost” se “nëse kryetarët e komunave do të fillonin punën në shtëpi private, kjo do të ishte një përforcim i strukturave paralele ilegale”.

Gjenerali i divizionit Angelo Michele Ristuccia, deklaroi më herët se “nëse nuk jemi sot këtu për të mbajtur zi për të vdekurit në mesin e popullatës serbe apo në mesin e policëve shqiptarë, kjo është për shkak se KFOR-i ndërhyri dhe arriti të rivendosë qetësinë”.

Komandanti italian shtoi se protesta kishte dalë jashtë kontrollit të vetë demonstruesve serbë dhe “po të kishte ndërhyrë policia kosovare situata do të përkeqësohej edhe më shumë”.

Kurti “zbërthen” tre kategori mes demonstruesve serbë në veri të Kosovës

Gjatë intervistës, Kurti zbuloi tre kategori qytetarësh që morën pjesë në demonstratat e 29 majit në veri të vendit.

“Në këto trazira të dhunshme janë tre kategori qytetarësh, kategoria e parë është ‘Mbrojtja Civile’ ku përfshihen edhe policë nga Serbia, elementë të xhandarmërisë ruse, tifozë të Rusisë etj”, shpjegon fillimisht kryeministri kosovar.

Kategoria e dytë, sipas tij, janë punonjësit e administratës publike që detyrohen të dalin “në të ashtuquajturat protesta sepse në të kundërt humbasin punën”.

“Kategoria e tretë janë punëtorët në kompanitë private të disa prej kontrabandistëve, kriminelët kryesorë si Milan Radojçiq dhe Zvonko Veselinoviç, të cilët detyrohen të dalin në sheshin para komunës”, shtoi Kurti.

Ai shpjegon se këto tri kategori po i bëjnë këto trazira sepse shohin që “Kosova është shtet sovran, se Kosova ka polici profesionale, se ne jemi një vend demokratik që po zhvillohet, ndërsa ata duan ndarjen e Kosovës, ata e duan copëtimin e Kosovës”.

“Ky është qëllimi i tyre i qartë, shkëmbimi territorial ishte emri i ndarjes së Kosovës, që do të joshte edhe disa shqiptarë që t’i bashkohen asaj. Ata nga ky projekt i dështuar nuk janë dorëzuar ideologjikisht. Por kjo ide, për t’u shprehur, mund të bëhet vetëm përmes dhunës”, ravijëzoi kreu i Qeverisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore