Lajme

Kurti i lë pa fjalë studentët – iu thotë se jemi “në Shekullin 22”


Foto nga Albanian Post: Albin Kurti ne shekullin 22

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, si folës në konferencën e parë të Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës “STEMinsts”, në shpjegim e sipër tha se përkundër se ka kaluar kohë, dyshimi metodik dhe dualizimi kartezian i filozofit francez Rene Descartes edhe “sot e kësaj dite, në shekullin 22” ka mbetur një filozofi e patejkalueshme.

Edhe pse, duke shpjeguar opsesionin e Descartes për të vërtetën, kryeministri dështoi t’iu qëndrojë pikërisht parimeve të filozofit francez, meqë aktualisht është shekulli 21 e jo 22, dhe dualizimi kartezian është një shpjegim jo aq popullor dhe i tejkaluar, për shkak të çalimeve që prezanton teoria.

Dualizmi kartezian thotë se trupi dhe mendja janë të ndarë (objekti dhe subjekti), por nëse mendja është e ndarë nga trupi, atëherë pse mendimi/mendja afektohet nga gjendja fizike e trurit, është një nga pyetjet pa përgjigje që i është shtruar dualizmit kartezian.

Gjithsesi, derisa dualizmi kartezian kualifikohet akoma për debat, se shekulli 21 nuk ka kaluar është e vërtetë e pranueshme. Të paktën jo edhe 77 vjet.

Megjithatë, Kurti ka vazhduar me shpjegimin e tij për Descartes duke thënë se ai ia vlen të lexohet “si matematikan nga filozofët dhe si filozof nga matematikanët”.

“Descartes thotë se duhet të mbërrijmë te e vërteta ndërmjet dyshimit sistematik. Pra, diçka është e dyshimit, e dyshimit, e padyshimtë rrjedhimisht e vërtetë. Pra ai nëpërmjet dyshimit, prej asaj që dyshojmë a jemi tash në ëndërr apo jemi zgjuar, dyshojmë në realitetin e kësaj shishe të ujit këtu, a din pra raporti me vetëdijen, po ai në fund ka ardhur në përfundimin që nuk mund të dyshoj që po dyshoj. Rrjedhimisht unë jam. Pra, metoda e dyshimit sistematik Descartes e ka çu në qosh. Ai e ka çu vetën në qosh. Paramendojeni një njeri, i cili duke menduar shkon në atë këndin e dhomës atje. Ka dashur vetëm të shoh për çka është absolutisht i sigurt dhe ka qenë i sigurt vetëm që nuk ka dyshim që po dyshon. Për kurgjo tjetër ka thënë s’po mund të jem i sigurt tamam”.

“Edhe është ajo fjala e tij ‘Cogito, ergo sum’, e mandej mundohet nga kjo pikënisje ai e krijon këtë raportin subjekt objekt, disa kishin thënë shpirti edhe trupi që ne edhe sot e kësaj dite edhe në Shekullin 22 pavarësisht rrymave të tjera filozofike dhe avancimit teknologjik nuk arrijmë ta evitojmë edhe në të menduarit tonë edhe në të sjellurit tonë edhe në praktikën tonë”, tha Kurti.

Por, edhe këtu çaloi pak shpjegimi i kryeministrit, sepse Descartes, në dëm të metodës së tij, kishte edhe një të vërtetë tjetër absolute tek e cila binte ndesh krejtësisht nga ajo që argumentonte paraprakisht se si duhet të vihet deri te e vërteta.

Kjo sepse Descartes pasi kishte zhvilluar metodën e tij me katër rregulla bazike, ku rregulli i parë ishte që; “të mos pranoj ndonjë gjë për të vërtetë sa kohë që të mos e njoh në mënyrë të qartë si të tillë” dhe se “të mos fus në mendje asgjë më shumë se ajo që do të më dukej aq e qartë dhe aq e kulluar, sa të mos kem asnjë rast ta vë në dyshim” , kishte rënë vetë në kundërthënie, kur dyshimi metodik në argumentimin e Descartes për zotin zëvendësohet me dogmatizëm.

Ai, përkundër se kishte vendosur të vë në dyshim gjithçka, argumenton në ekzistimin e zotit me anë të provës ontologjike të metafizikës.

Sipas Descartes zoti nuk mund të jetë krijesë e tij, sepse “nga diçka e papërsosur s’mund të dal diçka e përsosur”.

Pra, ai thoshte se po të ishte i pavarur nga çdo kusht tjetër, dhe po të ishte vetë krijuesi i qenies së tij, sigurisht se nuk do të dyshonte dhe nuk do t’i mungonte përsosmëria, ngase do ta pajiste veten me të.

Duke mos qenë kështu, Descartes edhe shpjegon se “është e pamundur që gjëja e përsosur të jetë rrjedhojë e gjësë më të papërsosur, prandaj, “s’kam si ta kem nxjerr nga vetja”.

“Ndaj mbetet vetëm fakti se kjo gjë erdhi në mua nga një natyrë që është më të vërtetë më e përsosur se unë, dhe që në vete përmban të gjitha përsosmëritë mbi të cilat mund të kisha idenë, që domethënë po të shpjegohem me një fjalë, se është zoti”.

Shpjegimi i Descartes përkundër se i hollësishëm, ai prapëseprapë e pohon zotin dhe përsosmërinë e tij para se ta ketë provuar atë në mënyrë racionale. Kjo kundërshton vetë parimin themelor të tij, se s’pranohet diçka si e vërtetë, po s’u pa qartë e kulluar nga mendja.

Megjithatë, Descartes, ndryshe nga Kurti, s’e kishte gabuar shekullin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore