Lajme

Kurti flet me deputetët e PE-së për aplikimin e Kosovës në BE: Është momenti i duhur


Me ftesë të deputetit të Parlamentit Evropian, Lukas Mandl, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet një lidhje direkte iu adresua deputetëve të Parlamentit Evropian të cilët po merrnin pjesë në diskutimin e organizuar nga deputeti Mandl me temë “Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE: Si do të jetë një sukses për të gjithë Evropën”.

“Besimi se momenti është i duhur duke marrë parasysh faktin se Kosova është vendi më demokratik në rajon”, tha Kurti.

Ai ka theksuar se “Kosova është vendi i fundit në Ballkanin Perëndimor që aplikon për anëtarësim”.

“Së pari, vendimi për aplikim në Bashkimin Evropian i përgjigjet thirrjes dhe aspiratave të qytetarëve të Republikës që thellësisht besojnë se e ardhmja e tyre është në Bashkimin Evropian, theksoi ai.

Sipas Kurtit, aplikimi përmbush dhe synon që ta realizojë premtimin e BE-së gati 20 vjet më parë në Samitin e Selanikut, dhe tash së fundmi në Samitin e Tiranës për një proces të përshpejtuar të anëtarësimit.

Në këtë diskutim pjesëmarrës ishin edhe deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, njëherësh kryetari i Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme, Haki Abazi, raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovë, Viola Von Cramon dhe nënkryetarja e Komisionit për Politikë të Jashtme, Zeljana Zovko.

Kurti theksoi javën e kaluar se para Krishtlindjeve, Kosova do të aplikojë për statusin e vendit kandidat.

“Zgjerimi i paqes dhe prosperitetit është thelbësor për BE-në. BE-ja duhet t’i qëndrojë besnike këtij thelbi. Zgjerimi duhet të shkojë paralelisht me konsolidimin e brendshëm. Njëra nuk duhet të përjashtojë tjetrën”.

“Kemi nevojë për proces të përshpejtuar për anëtarësim në BE, nuk mjafton perspektiva në BE. Është e vështirë të mobilizohen njerëzit nëse nuk ka afate të qarta kohore drejt anëtarësimit”, shtoi Kurti në një panel diskutimi në Samitin e Liderëve të Socialistëve dhe Demokratëve të Ballkanit Perëndimor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore