Kosova

“Kurti është i gatshëm të vijë në Bruksel, të takohet me presidentin Vuçiç”


“Albin Kurti është i gatshëm të vijë në Bruksel, të takohet me presidentin Vuçiç, dhe se kjo duhet të bëhet në një kohë të përshtatshme, pas formimit të institucioneve në Kosovë dhe kjo sigurisht do të ndodhë para verës”, tha Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, në një intervistë për N1 në Serbi.

Ai tha se vizitën e tij në rajon e ka bërë që të diskutojë me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, si negociator të ardhshëm nga Kosova.

Sipas tij, takimi me Kurtin ka pasur rëndësi të madhe për shkak se ka marrë mbështetje të madhe nga votuesit në Kosovë në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Lajçak theksoi se e ka informuar Kurtin për dialogun e deritashëm dhe se “Kurti ka kuptuar se dialogu është i domosdoshëm”.

Ai potencoi se deri tash ka pasur përparime në dialog për çështjen e të pagjeturve, të të zhvendosurve por edhe për bashkëpunim ekonomik.

“Dialogu është absolutisht çelës për normalizim të marrëdhënieve, për rrugën evropiane, por edhe për normalizim të atmosferës mes Kosovës dhe Serbisë. Është e rëndësishme për mua që asnjë nga akterët që kam takuar në Kosovë dhe Serbi nuk kanë pyetur nëse dialogu është i nevojshëm, dhe ky është mesazh kyç”, tha Lajçak.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore