Lajme

Kurti e Haxhiu përplasen për Specialen në Kuvend


Albin Kurti e Bekim Haxhiu

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pasur një përplasje me deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiun, në kuvendin e Kosovës.

Njëra nga temat që Kurti e Haxhiu u përplasën ishte Gjykata Speciale, ku deputeti i PDK-së i tha Kurtit se kundërshtimi i tij për të mos u krijuar kjo gjykatë nuk ka qenë i sinqertë.

Sipas Haxhiut, Kurti vetëm ka pasur dëshirë që ajo të krijohet nga OKB-ja, “që krejt rrenat e shpifjet edhe të njerëzve tuaj, të Serbisë dhe të Rusisë të konfirmoheshin në gjykatën ndërkombëtare të OKB-së, nga gjykatës rusë e argjentinas – ky ka qenë qëllimi”.

“S’e ke pasur për ndonjë parim që e keni kundërshtuar. E kem votuar Specialen, dhe sot po sakrifikohen njerëz për atë punë, sepse është mbrojtur interesi i Kosovës, mos të dëmtohej Kosova dhe historia e lavdishme e luftës së UÇK-së, që ju keni deponuar raporte – 50 mijë euro e ka paguar deputeti juaj një raport anti-UÇK”, tha Haxhiu.

“Deputetët e juaj kanë deponuar raporte kundër UÇK-së me të cilat sot përballen krerët e saj. Ministrja jote [Donika Gërvalla] ka deponuar dhe ka deklaruar se ka deponuar raporte kundër krerëve të UÇK-së”.

Në përgjigje ndaj këtyre deklaratave të Haxhiut, kryeministri i tha se nuk është e vërtetë ajo që deputeti Haxhiu tha se ka pasur që ta bëjë OKB-ja, “sepse s’bëhet pa Këshillin e Sigurimit, aty i ki SHBA-të, Mbretërinë e Bashkuara, aty i ki shumë shtete që janë mike, dhe jo vetëm armike, e ki edhe Francën”.

“Ai ka qenë karremi që ju e keni kafshuar gabimisht, edhe tash ne po i paguajmë pasojat. A e din sa po i kushton Kosovës kjo Gjykatë Speciale. Unë kam qenë me dhjetëra herë në procese gjyqësore, kurrë asnjë cent s’ia kam marrë shtetit të Kosovës, kurrë asnjë cent”, tha Kurti.

“Mbi 20 milionë euro tashmë janë paguar për mbrojtje, edhe unë kam pasur nevojë për mbrojtje, por kurrë asnjë cent s’e kam marrë”, shtoi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore