Lajme

Kurti e akuzon që s’po vepron në Veri, kryeprokurori refuzon ta komentoj


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryeprokurori Blerim Isufaj.

Për deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti se nuk e kupton mos-reagimin e Prokurorisë së Shtetit për sulmet që po ndodhin në Veri të Kosovës, kryeprokurori i Prokurosisë Speciale, Blerim Isufaj ka refuzuar të komentoj.

Ai në një bisedë për Albanian Post tha se, “nuk i komenton këto deklarata të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti”.

Sipas Kurtit nga ky institucion, përveç se nuk është marrë asnjë veprim, s’ka pasur as reagim për ngjarjet në Veri.

Por, një sjellje të tillë pohoi se Prokuroria e ka pasur edhe në dhjetor të 2022, atëherë kur u ngritën barrikadat.

“Unë nuk e kuptoj prokurorinë tonë të Shtetit. Nuk e kuptoj si është e mundur që për kundër qindra fotografive e videoxhirimeve të shkeljeve të ligjit e të krimeve e të denoncimeve me emër e mbiemër të atyre persona nuk ka veprime nga Prokuroria jonë, është përsëritje e situatës së dhjetorit të vitit të kaluar, kur 3 javë ditë, 16 barrikada në Veri asnjë aktakuzë”.

Kreu i ekzekutivit, potencoi se sërish nuk ka reagim nga Prokuroria për një situatë të ngjashme.

“Tash sërish për 26 dhe 29 maj nuk shohim veprime të Prokurorisë. Prandaj, për mua është e pakuptueshme se si mund të ketë një lloj pasivitetit të tillë nga Prokuroria”.

Edhe më 20 prill, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë fjalimit të tij në seancën plenare, një ditë pas arrestimit të kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqit, nga Policia e Kosovës nën dyshimin për keqpërdorime në disa tenderë, një prej tyre 3.4 milionë euro, ka sulmuar Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.

Kush është Blerim Isufaj – kandidati për Kryeprokuror të Shtetit që e “sulmon” pushteti?

Në Prokurorinë e Shtetit, sipas Kurtit, ekziston një disponim negativ politik ndaj Qeverisë së udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje.

Kurti më tej gjatë fjalimit të tij ka sulmuar edhe prokurorin i cili u mor me rastin e kryeshefit të KEK-ut, Blerim Isufajn duke thënë se ky i fundit nuk e ka të fituar në Gjykatë asnjë rast dhe i njëjti po dëshiron të bëhet kryeprokuror i shtetit përkundër vullnetit të presidentes, kryeparlamentarit dhe kryeministrit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore