Lajme

Kurti, diplomates belge: Nënshkrimi i Marrëveshjes Bazë, garanti e normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Belgjikës, Hadja Lahbib.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në takimin e së premtes me ministren e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Belgjikës, Hadja Lahbib, e ka informuar atë rreth sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri tashmë i shpallur hero, Afrim Bunjaku.

Përmes një komunikate për media nga Zyra e Kryeministrit është thënë se kanë diskutuar edhe për raportet mes Kosovës dhe Serbisë.

“Në takim u fol edhe për situatën e sigurisë në rajon dhe për raportet e Kosovës dhe Serbisë në dritën e sulmit terrorist dhe paramilitar në Banjë të Zveçanit sot dy muaj më parë dhe takimin e 26 tetorit me liderët evropianë në Bruksel”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Sipas, kreut të ekzekutivit Kosova vazhdon të mbetet e përkushtuar në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.

“Kryeministri Kurti e njoftoi ministren belge Lahbib për angazhimin dhe qasjen konstruktive që Kosova ka pasur përgjatë procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe për qëndrimin e Kosovës në takimin e fundit në Bruksel në të njëjtën ditë kur po zhvillohej edhe Samiti i Këshillit Evropian”.

“Ai ritheksoi se Kosova mbetet e përkushtuar për zbatim të plotë, të shpejtë dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj, dhe se nënshkrimi i tyre është garanti i respektimit dhe zbatimit të tyre drejt një normalizimi të qëndrueshëm të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Kërkesë e Kurtit, ndaj ministres belge ka qenë edhe ndihma që Kosova të jetë pjesë e BE-së.

“Meqë jemi në prag të Presidencës belge të Këshillit të Bashkimit Evropian, u diskutua edhe për procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, përkatësisht të rrugëtimit të Republikës së Kosovës në atë drejtim”.

“Kosova ka dorëzuar aplikimin e saj për anëtarësim më 15 dhjetor të vitit të kaluar, dhe është në pritje që të marrë statusin e vendit kandidat”.

Ndërsa, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në takimin e së premtes me ministren e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Belgjikës, Hadja Lahbib, ka kërkuar që pasi që shteti i Belgjikës të marr presidencës e Bashkimit Evropian të punohet për procesin e integrimit të Kosovës në BE.

“Në këtë kontekst, Presidentja Osmani tha se meqë Belgjika e merr presidencën e BE-së më 1 janar 2024, ndaj Kosova është e interesuar të punojë sa më afër me Presidencën belge për të siguruar progres konkret në procesin e integrimit të Kosovës në BE”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu, Osmani e ka informuar ministren edhe për situatën e 24 shtatorit në Banjë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri tashmë i shpallur hero nga institucionet e Kosovës, Afrim Bunjaku.

Ministrja e Punëve të Jashtme të Belgjikës, Hadja Lahbib, gjatë ditës ka mbajtur një konferencë të përbashkët me ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ku ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është mundësia e vetme për integrim evropian të të dyja vendeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore