Lajme

Diplomatja belge në Kosovë: Normalizimi me Serbinë mundësia e vetme për integrim evropian


Ministrja e Punëve të Jashtme të Belgjikës, Hadja Lahbib

Ministrja e Punëve të Jashtme të Belgjikës, Hadja Lahbib, në një konferencë të përbashkët me kryediplomaten kosovare Donika Gërvalla, ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është mundësia e vetme për integrim evropian të të dyja vendeve.

“Kemi biseduar për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit. Janë bërë hapa domethënës në normalizimin e raporteve dhe është shumë e rëndësishme që të mos ketë tensione. Normalizimi është rruga e vetëm për marrëveshje dhe për integrimin e të dy palëve në Bashkimin Evropian”, tha Lahbib pas takimit me Gërvallën.

“Në këto kohë sfiduese është në interesin tonë parësor që të qëndrojmë sa më afër që të jetë e mundur, kështu siç jemi tani”, shtoi.

Jashtë kësaj, kryediplomatja belge tha të jetë e “kënaqur” për lidhjet e forta në mes të dy vendeve, pra Kosovës dhe Belgjikës.

“Belgjika ishte një nga vendet e para që ka njohur pavarësinë e Kosovës në vitin 2008 dhe kemi punuar në shumë çështje të ndryshme”, potencoi ajo, teksa përmendi edhe diasporën kosovare atje, për të cilën dha se “janë bërë pjesë e shoqërisë belge duke e pasuruar edhe më tej”.

Nga ana tjetër, Gërvalla, në këtë konferencë, tha ta ketë falënderuar homologen e saj blege “për përkushtimin e Mbretërisë së Belgjikës për t’i ndihmuar Kosovës gjatë gjithë rrugës së shtetndërtimit të saj, dhe gjithashtu për partneritetin e sinqertë dhe partneritetin e fortë që i lidh dy vendet tona”.

“Jemi këtu për të bërë një hap më tej për të thelluar marrëdhëniet tona”, tha Gërvalla, derisa tregoi edhe për temat që kanë biseduar me Lahbib.

“E informova rreth progresit që Kosova ka bërë në fushën e sundimit të ligjit, në fushën e zhvillimit ekonomik, në fushën e reformave institucionale, dhe reformat në përgjithësi në vendin tonë”, deklaroi kryediplomatja kosovare.

Donika Gervalla

Përveç këtyre, Gërvalla tha se subjekt diskutimi kanë qenë edhe sfidat e sigurisë, “ato gjeopolitike dhe ato të rajoni tonë”,

“Jo vetëm të Kosova po përballet me sfida të shumta për shkak të sjelljes tejet agresive të fqinjit të saj (Serbisë), por edhe Evropa në përgjithësi, e gjithë botë perëndimore përballet me rreziqe të cilat vetëm të bashkuar mund t’i përballojmë”, pohoi.

Tutje, shefja e diplomacisë kosovare deklaroi se e ka informuar homologen belge edhe rreth procesit të menaxhimit të kërcënimeve me të cilat përballet Kosova, “me shpresën që Bashkimi Evropian do të jetë më i qartë dhe më i zëshëm në proceset të cilat rrezikojnë sigurinë dhe paqen në rajon”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore