Lajme

Kurti dhe Aliu kritikojnë qeverisjet e kaluara për neglizhencën e rrugës Prishtinë – Mitrovicë


Kryeministri Albin Kurti dhe ministri Liburn Aliu.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Infrastrukturës, Liburn Aliu gjatë vizitës së tyre në projektin “Zgjerimi i Rrugës Nacionale M2”, të rrugës Prishtinë – Mitrovicë, kanë kritikuar qeverisjen e kaluara për neglizhencën e rregullimit të kësaj autostrade.

Kryeministri Albin Kurti, para gazetarëve ka thënë se pushtetet e kaluara kanë pasur plane të dobëta për këtë drejtim.

Prandaj, sipas tij edhe kanë dështuar.

“Në të kaluarën ka pasur plane të dobëta, e përgatitje të pakta. Me qeverinë tonë kemi shumë përgatitje, plane të hollësishme, prandaj punët janë të rregullta sipas procedurës. Nuk do të mungojë angazhimi ynë”.

“Nga një rrugë e cila ishte me dy korsi, tash do të kemi rrugë nacionale me dy drejtime, secila me nga dy korsi”, ka thënë ai.

Kurse, sipas ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu projekti për zgjerimin e rrugës ka qenë shumë i rëndë e me probleme të shumta.

“Mobilizimin e kemi bërë maksimal, shenjat janë të mira, do të përkushtohemi maksimalisht. Këtu është dashtë ta bëjmë auditimi, proces i rëndë me probleme të shumta”, theksoi ministri.

Zgjerimi i rrugës magjistrale Podujevë–Prishtinë ka nisur në vitin 2016 në kohën e Isa Mustafës dhe që nga fillimi ka pasur zvarritje të punimeve.

Në 2022-në qytetarët e Komunës së Podujevës, kishin protestuar për neglizhencën e rregullimit të kësaj rruge nga institucionet, duke e quajtur si “rruga e vdekjes” kjo për shkak të aksidenteve të shumta që po ndodhnin në atë periudhë në këtë pjesë.

Punimet në këtë rrugë kishin ngecur për shkak të problemeve të shpronësimit me atë pjesë, ato kishin nisur më 25 shkurt të këtij viti.

Ky projekt është duke u financuar nga huamarrja nga Fondi i OPEC-ut për Zhvillim Ndërkombëtar në bashkëfinancim me Fondin Saudit për Zhvillim, në vlerë prej 25 milionë eurosh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore