Lajme

Kurti bën homazhe në Krushë të Madhe: Gjeneratat e ardhshme të mos kalojnë nëpër të njëjtat vuajtje


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mëngjesin e së dielës ka bërë homazhe në Krushë të Madhe me rastin e 24 vjetorit të masakrës së 243 shqiptarëve etnikë nga forcat policore e ushtarake serbe.

Me këtë rast, kreu i ekzekutivit ka kujtuar edhe veprën e profesorit dhe intelektualit Ukshin Hoti, për fatin e të cilit nuk dihet ende asgjë që nga 16 maji i vitit 1999, pas lirimit nga burgu i Dubravës, ku ishte duke vuajtur dënimin.

“Edhe këtu në Krushë, në vendlindjen e bacës Ukë, të profesorit Ukshin Hotit, të cilit i kemi aq shumë borxh për shkak se gjithë vepra e tij është vepër për jetën dhe përpjekjen tonë politike që të jetojmë me dinjitet në trojet tona dhe me shtetin që na shërben të gjithëve si Republikë”.

“Përkulemi me shumë mall, dhembje e pikëllim, por në të njëjtën kohë edhe me shumë dashuri, krenari e admirim që i patëm këta burra e gra në krye me Ukshin Hotin, dhe e arritëm çlirimin e vendit e njëkohësisht e kemi udhërrëfimin e tyre se si të ecim përpara pa u ndalur”, shtoi Kurti.

Ai ndër të tjera ka thënë se është përgjegjësi e autoriteteve shtetërore dhe e qytetarëve që brezi aktual i fëmijëve, por edhe gjeneratat e ardhshme të mos kalojnë nëpër të njëjtat vuajtje.

“Sot, si institucione të shtetit me përgjegjësi dhe si qytetarë të Republikës me vetëdije, bëhemi bashkë që brezi aktual dhe brezat e ardhshëm të mos kalojnë nëpër vuajtjet e humbjet që kaluam ne, por në të njëjtën kohë të kenë të ardhme të ndritshme”, u shpreh ai.

Ndryshe, pas homazheve, kryeministri Kurti udhëton për vizitë pune në Shqipëri, ku do të zhvillojë një takim me kryeministrin shqiptar Edi Rama, por edhe me përfaqësues të tjerë të institucioneve.

Edhe pse ende nuk janë ndarë detaje nga ky takim, Albanian Post ka bërë me dije se fokus diskutimi pritet të jetë marrëveshja që u arrit në Ohër mes Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore