Lajme

Kurti arsyetohet: Marrëveshjet e 2013-së dhe 2015-së nuk ishin të mira, por ato i gjeta në sirtarë


Për Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, marrëveshjet e nënshkruar në fushën e energjetikës të cilët janë arritur gjatë vitit 2013 dhe 2015, nuk janë të mira.

Në arsyetimin e tij se pse ai nënshkroi pikërisht marrëveshjet të cilët i ka kritikuar sa ishte në opozitë, Kurti ka thënë se është detyruar t’i nënshkruajë pasi që të njëjtat i ka trashëguar nga qeveritë e kaluara.

“Njësojë siç kam thënë që marrëveshja e 2013-ës nuk është e mirë në vitin 2013, dhe marrëveshja e vitit 2015 nuk është e mirë në vitin 2015, e them edhe sot. Pra ato nuk ishin marrëveshje të mira, por ato i trashëguam dhe i gjetëm”.

“Kur unë u bëra kryeministër i Kosovës i gjeta 38 komuna, po të pyetesha unë nuk do të ishin 38 komuna, kur u bëra Kryeministër e gjeta KEDS-in dhe KESCO-n, po të isha më herët unë kryeministër nuk do të kishte KEDS dhe KESCO, por monopoli publik është bërë monopol privat dhe tash unë duhet të komunikoj me ata, pra ka një mori gjërash të cilët nuk i bëjë me vullnet dhe dëshirë, por nga nevoja dhe përgjegjësia”.

“Duart i kemi përlyer, por ndërgjegjen e kemi të pastër”

Lidhur me marrëveshjen, Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, ka kërkuar nga kryeministri të tregojë nëse marrëveshja është e mirë apo jo.

“Kryeministri Kurti ka nevojë t’i bëjë dy sqarime bazike: e para është logjike, a është marrëveshja e mirë apo s’është e mirë? Nëse është marrëveshja e mirë, që është replikë e një marrëveshjeje paraprake, atëherë me të drejtë mund t’i shtrosh argumentet se po kthehet legjitimiteti në veri dhe po mblidhen të hyrat pas 20 viteve”, tha ai.

Kryeministri Kurti në replikën ndaj Abdixhikut, u shpreh se nuk ndryshuar qëndrim, ani pse të njëjtën e kishte kundërshtuar fuqishëm në Kuvend.

“Unë nuk kam ndryshuar as koncept as qëllime, as qëndrime, mirëpo kam metoda të cilat për konceptin dhe qëllimin e njëjtë bëjnë më të mirën e mundshme në kohën që është e ngopur me trashëgimi të mbrapshta”, tha Kurti.

Ai tha se Elektrosever do të licencohet si çdo kompani tjetër për furnizim të energjisë, ani pse e njëjta është pronë e Serbisë.

“Si çdo kompani tjetër të furnizimit të energjisë do të kemi edhe në Veri që operon nën kornizën ligjore të Republikës së Kosovës. Edhe licencimi është i kushtëzuar, së treti, marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 nuk janë të mira, së katërti gjendja në terren është shumë më keq se marrëveshjet e këqija. Prandaj ne kemi bërë udhërrëfyesin më të mirë të mundshëm në këtë kontekst politik”, ka thënë Kurti.

Sqarime lidhur me marrëveshjen ka kërkuar edhe Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili e ka pyetur Kurtin se si është e mundur që marrëveshje e nënshkruara më herët i ka cilësuar si akte të tradhtisë e tash po të njëjtat i konsideron “sukses”.

Në përgjigjen e tij Kurti, ka thënë se disa marrëveshje në të kaluarën kanë qenë tradhti, por sipas tij këto politika i kanë trashëguar.

“Ngjashëm edhe sa i përket çështjes së energjisë e kemi të trashëguar këtë gjendje ku po e bëjmë më të mirën tonë të mundshme, a ka qenë ndonjë marrëveshje në të kaluarën tradhti? Po, ka qenë tradhti po ky është realiteti, ky është realiteti me të cilën ballafaqohemi e ku gjendja është edhe më e keqe se një marrëveshje e keqe”.

“Pra, a i kemi duart me balt, po duart i kemi me balt sepse Kosovën e kemi gjetur në baltë ama ndërgjegjen e kemi të pastër, a duart është e vërtetë se janë përlyer për shkak se e kemi gjetur Kosovën në baltë”.

“Sa i përket pyetjes suaj, gjithçka do të shkoj si është më së miri dhe e kemi në pikën 5 të udhërrëfyesit”.

Sipas Kurtit me marrëveshjen e nënshkruar dje, Kosova do të kursejë dhjetëra milionë euro marrë për bazë pagesat e ndodhura më herët për mbulimin e kostove energjetike në Veriun e Kosovës.

“Katër komunat në Veriun e Kosovës do të kalojnë në një rend të rregullt të furnizimit, faturimit dhe të inkasimit të pagesave për kosnumin e energjisë elektrike. Bashkimi Evropian do ta mbikëqyr zbatimin e tij, e me zbatimin e këtij udhërrëfyesi do të mundësohet përfundimi i një problematike të trashëguar të pagesës së energjisë në katër komunat në Veri të Kosovës”, ka thënë Kurti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore