Shqipëria

Kurbin: Vrau bashkëshortin me sqepar, dënohet me 21 vite 60-vjeçarja


Gjykata e Kurbinit të premten e 27 majit ka dënuar me 21 vite burg 60-vjeçaren, e cila dy vite më parë vrau bashkëshortin e saj. Por ajo do vuajë 14 vite, për shkak të gjykimit të shkurtuar. Ngjarja ka ndodhur në Sanxhak, Kurbin.

Drane Deda, nënë e dhjetë fëmijëve, më 6 nëntor të vitit 2020, goditi disa herë me sqepar bashkëshortin e saj, kur ai ishte në gjumë. Ky i fundit gjeti vdekjen pas ca ditësh në Spitalin e Traumës Tiranë.

Deda u shpall fajtore për veprën penale  “Vrasje për shkak të marrëdhënies familjare”.

Kujtojmë se asokohe ajo u vetëdorëzua në Polici, ku dhe tregoi krimin e kryer. Përpara trupës hetuese ajo ka deklaruar se keqtrajtohej nga bashkëshorti i alkoolizuar.

Po ashtu ajo ka deklaruar se atë ditë ata nuk janë grindur, por për shkak të torturave ndër vite e çuan atë të kryente krimin.

Gjatë momentit të krimit çifti bashkëshortor kanë qenë vetëm në banesë.

60-vjeçarja ndër të tjera ka shfaqur pendesë për krimin të cilin i mori jetën bashkëshortit të saj. Ajo është shprehur se e ka kryer në gjaknxehtësi e sipër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore