Sport

Kur Tirana mundte Besiktas-in në Kupën Ballkanike


Tirana do të rikthehet këtë të enjte të luajë në Kupat e Evropës. Përballë kryeqytetasve do të jenë gjigandët turq të Besiktas-it, një skuadër e fortë dhe pretendente.

Bardheblutë e nisen rrugëtimin e tyre këtë sezon në UEFA Europa Conference League duke eliminuar një skuadër të fortë dhe solide si Dinamo Batumi (1-1, 2-1).

Shorti i hedhur më herët, e kishte përcaktuar skuadrën rivale të Tiranës, Besiktas-in, që pa u ndeshur ende me Dinamo-n gjeorgjiane.

Mirëpo, përballja e kësaj të enjteje nuk do të jetë e para mes dy skuadrave. Në fakt, duhet të rikthehemi shumë pas në kohë për duelin e parë mes bardhebluve dhe “Shqiponjave të Zeza” të Stambollit. Bëhet fjalë për sezonin 1964-65 dhe Kupën Ballkanike, një kompeticion që sot ka pushuar së ekzistuari.

Kupa Ballkanike përbëhej nga dy grupe dhe tetë skuadra. Në Grupin B, Tirana, që asokohe njihej si 17 Nëntori, ishte së bashku me Besiktas, Rapid Bukureshtin dhe Cherno More Varna.

Gjatë fazës së grupeve, bardheblutë patën dy përballje me skuadrën turke.

Dueli i parë erdhi më 2 qershor 1965 në “Mithat Pasa Stadium” të Stambollit. Ndeshja përfundonte në barazim 1-1. Pavlo Bukoviku realizonte golin për Tiranën në minutën e 24, teksa sfida barazohej me golin e Coskun Ehlidil në të 56-ën minutë.

Ndeshja e kthimit, e cila u zhvillua më 26 nëntor 1965 pa Tiranën të triumfonte me rezultatin 2-0. Takimi i zhvilluar në stadiumin “Dinamo” (sot “Selman Stërmasi”) u fitua me golat e Fatmir Frashërit (16’) dhe Niko Xhaçkës (55’).

Si përfundim, Tirana do të përfundonte e treta në Grupin B me katër pikë. Ndërsa, turqit do të përfundonin në vendin e fundit me dy pikë. Rapid-i do të merrte vendin e parë dhe do të shkonte në një finale tërësisht rumune ndaj Farul Constanta ku dhe do të fitonte trofeun pas një barazimi 3-3 dhe një fitoreje 2-0.

17 Nëntori (Tirana) në vitin 1965.

Teksa Kupa Ballkanike ka pushuar së ekzistuari, tashmë për ekipet evropiane fokusi dhe synimi është avancimi sa me i madh në Kupat e UEFA-s, Champions, Europa dhe Conference League.

Tirana ka një ndeshje të vështirë, por jo të pamundur, ndaj Besiktas-it në “Vodafone Arena” këtë të enjte. Teksa një javë më vonë do të presë skuadrën turke në “Air Albania”. Nëse kalon, do të jetë në raundin e tretë kualifikues dhe më pas vetëm faza e play-off do ta ndante nga kualifikimi në grupet e Conference League.

Megjithatë, eksperienca e Besiktas-it në Evropë mund të jetë vendimtare në sfida të tilla. Skuadra turke gjatë gjithë historisë së saj numëron 230 paraqitje në Kupat e Evropës, nga të cilat 89 kanë ardhur në Champions League (European Cup dikur). Në vitin 2017, ata arritën deri në çerekfinale të Europa League ku u eliminuan nga Lyon.

Besiktas është gjithashtu i njohur për tifozët shqiptar pasi përveç 17 Nëntorit të atëhershëm është përballur edhe me dy ekipe të tjera Dinamon dhe Skënderbeun.

Në sezonin 1986-87, Besiktas mundte Dinamon (2-0, 1-0) në raundin e parë kualifikues të Champions League. Ndërsa, në sezonin 2015-16 ishte pjesë e Grupit H në Europa League së bashku me Skënderbeun, ku edhe në këtë rast arriti dy fitore dhe po në shifrat 2-0, 1-0.

Kujtojmë që Conference League është një kompeticion i ri për klube, i cili ka hyrë në sezonin e tretë, por ende një skuadër nga Shqipëria nuk është bërë pjesë e grupeve. Kosova, sezonin e kaluar, u përfaqesua me Ballkanin, një skuadër që ka mundësi të mëdha të jetë edhe sivjet në grupe.

Përsa i përketë skuadrave shqiptare në tërësi, përveç Tiranës dhe Ballkanit, në garë për të arritur në grupet e Conference League 2023-24 janë edhe Partizani, Drita, Dukagjini, Shkupi dhe Struga.

UECL: Tirana dhe Drita synojnë surprizën

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore