Sport

Kuqezinjtë përgatiten me intensitet të lartë për ndeshjet e tetorit


Kombëtarja e Shqipërisë në futboll, këtë të mërkurë ka zhvilluar seancën e radhës stërvitore në kompleksin Tropikal në Durrës, aty ku ndodhet prej ditës së diele.

Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Edoardo Reja, kanë zhvilluar stërvitjet me intensitet të plotë, për t’u përgatitur për dy ndeshjet shumë të vlefshme për kualifikimet e Kampionatit Botëror “Katar 2020”.

Departamenti i Komunikimit në Federatën Shqiptare të Futbollit bën me dije se i gjithë grupi, përveç sulmuesit Bekim Balaj, ka qenë dispozicion të trajnerit Reja, me lojtarët që gëzojnë formë të mirë fizike.

Balaj nuk është stërvitur ditën e sotme me ekipin, pasi ndjen një shqetësim në muskujt e kofshës dhe i është nënshtruar  vizitave mjekësore, që do të vendosin nëse shkodrani do të jetë apo jo i gatshëm për ndeshjen e parë ndaj Hungarisë. Ndërsa mbrojtësi Ardian Ismajli është stërvitur rregullisht me grupin.

Kujtojmë se mbrojtësi kuqezi, Erjon Hoxhallari është larguar nga grumbullimi ditën e djeshme për shkak se ka rezultuar pozitiv me Covid-19.

Ekipi shqiptar do të zhvillojë edhe nesër normalisht stërvitje pasdite sipas programit të paracaktuar, teksa ditën e premte do të niset drejt Budapestit, ku më 9 tetor do të përballet me Hungarinë.

Kjo ndeshje do të jetë shumë e vlefshme për të kërkuar kualifikimin historik në Kupën e Botës, pasi që Shqipëria gjendet në vendin e dytë të Grupit I, me 12 pikë të grumbulluara, katër më pak se Anglia.

Ndërsa kundërshtarët e muajit tetor të Shqipërisë, Polonia dhe Hungaria, renditen prapa kuqezinjve me një pikë më pak, respektivisht dy.

Kujtojmë që vendi i parë në grup do të kualifikohet direkt në grupet e Kampionatit Botëror, ndërsa vendet e dyta do ta kërkojnë kualifikimin përmes ndeshjeve të barazhit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore