Përballje

Kupa e Botës/ Meksika dhe SHBA sigurojnë kualifikimin, Kosta Rika mbetet në play-off


Kanë përfunduar edhe ndeshjet e fundit kualifikuese në grupin e CONCACAF-it, ku pas Kanadasë kanë siguruar kualifikimin në Kupën e Botës edhe Meksika dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës që përfunduan në vendin e dytë dhe të tretë.

Nga ky grup, në vendin e katërt përfundoi Kosta Rika, të cilët do të kërkojnë një biletë për në Katar përmes fazës play-off, ku do të ballafaqohen me Zelandën e Re.

Në raundin e fundit të ndeshjeve kualifikuese Meksika mposhti 2:0 El Salvadorin, ndërsa amerikanët edhe pse u mposhtën 2:0 nga Kosta Rika, përfunduan në vendin e tretë në grup falë golaverazhit më të mirë.

Kosta Rika, gjithsesi, e ka një shans për të shkuar në Botëror nëpërmjet play-off-it me Zelandën e Re, ndeshje që do të zhvillohet më 13 ose 14 qershor.

Meksika e mbylli brenda pjesës së parë sfidën me El Salvadorin falë golave të Antunas dhe Jimenez, ndërsa Shteteve të Bashkuara u mjaftonte të mos humbnin me një diferencë më shumë se gjastë gola për t’u renditur më lartë se Kosta Rika.

Derisa, Kanadaja, që e kishte siguruar vendin e parë, u mposht 1:0 në fushën e Panamasë, ndërsa Xhamajka – Honduras, që vlente gjithashtu vetëm për statistika, u mbyll me shifrat 2:1.

Kujtojmë që shorti për Kupën e Botës do të hidhet këtë të premte në Doha të Katarit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore