Shqipëria

Kume: Politizimi i KQZ-së nuk është problematik


“Zgjedhja e anëtarëve të KQZ-së nga Kuvendi nuk është problematik. Gjithçka varet nga integriteti profesional i tyre”.

Ish-kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kristaq Kume, u shpreh i bindur se : nuk kemi të bëjmë me një proces të gabuar të anëtarëve të KQZ-së. E gjithë pesha, bie mbi integritetin e tyre profesional.

“E gjithë struktura e KQZ-së ndryshoi”, deklaroi Kume. “Unë nuk mendoj gjithsesi se është struktura me rëndësi. Vetëm puna e anëtarëve në zbatim të ligjit mbart peshë”.

Pavarësisht faktit se më parë është deklaruar se zgjedhja e anëtarëve nuk do të ishte politike, për shkak të kohës u vendos sërish një zgjedhje politike e tyre.

“Në ato vende në të cilat kultura demokratike dhe sjellja, janë në proces zhvillimi, në ato vende ku besimi midis palëve është problematik, ndër zgjidhjet më efektive, siç rekomandohet dhe nga Komisioni i Venecias, është që përcaktimi i administratës së KQZ-së, të ketë përfaqësim politik”.

Një tjetër aspekt, është fakti se tashmë vendimet merren me shumicë të cilësuar. Kjo do të thotë se, çdo vendim që duhet të kalojë, duhet të ketë miratimin e të dyja palëve. Kjo gjë është e zbatueshme qoftë për punën që kryen Komisioni Rregullator, qoftë për punën që kryen Komisioni për Ankimime dhe Sanksione.

“Të dy strukturat janë krijuar mbi preferenca politike”, theksoi Kume. “Gjithsesi, asnjë vendim nuk kalon pa konsensus. Është e pamundur, për shkak të balancës politike që kanë komisionet”.

Eksperti ka përmbyllur me faktin se gjithçka është e parashikuar në ligj. “Të gjithë janë të detyruar të zbatojnë ligjin. Nga komisioneri, tek çdo komision. Nuk ka vend për abuzime”, përfundoi ai.

KQZ-ja pësoi një ndryshim rrënjësor strukturor gjatë 2020-ës. Ndarja në dy komisione për çështjet rregullatore dhe të ankesave, mundëson një pavarësi nga komisioneri për punën e anëtarëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore