Shqipëria

Kumbaro vijon apelin për një mjedis të pastër


Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, paraditen e 19 janarit e ka nisur me një thirrje nga qyteti i Sarandës për të mbajtur pastër mjedisin.

Ajo theksoi se duhet kjo është një betejë shumë e gjatë, e cila sipas saj duhet të përfundojë sa më shpejt për të nisur më pas me fitoren e luftës së promovimit të turizmit.

Kumbaro së bashku me kryetarin e Bashkisë Finiq dhe punonjës të tjerë të pushtetit vendor panë nga afër mbjelljen e pemëve në buzë të rrugës kombëtare.

“Mënyra më e mirë për të ndaluar në ato pjesë të rrugës ku ka sheshe të cilat shpesh kthehen në vend-depozitime të paligjshme, mbjellja e pemëve është mënyra më e mirë për t’i frenuar, por kjo kërkon pa diskutim koordinim të fuqishëm midis Policisë së Shtetit, Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, pushtetit qendror dhe vendor”, vijoi Kumbaro në fjalën e saj.

Ajo kërkoi nga pushteti vendor që të jetë më e vëmendshme ndaj këtij fenomeni, i cili ajo ritheksonte se është një ‘krim që po i bëjmë mjedisit”.

Në vijim Ministrja apeloi se ndëshkimi për këto krime mjedisore do të jetë kryefjala e këtij viti, pasi kjo nisi më 1 tetor të vitit të shkuar dhe më 1 nëntor vazhdoi zbatimi i saj në terren.

“Unë mendoj se jemi të vonuar me masat ndëshkimore. Ky vit, do të jetë viti i betejes për mbrojtjen e mjedisit dhe pastrimit të territorit”, ravijëzoi Ministrja.

Në përfundim ajo i kujtoi qytetarëve dhe këdo që sheh dikë që kryen ‘krime mjedisore’, tashmë mund t’i denoncojnë në “Komisariatin Digjital”.

“Komisariati Digjital ka figurën e krimit mjedisor. Thirrje çdo qytetari të Qarkut të Vlorës, që të jetë aleat i mjedisit. Përveç pastrimit dhe mbjelljes të kalojmë edhe në ndëshkim”, e mbylli apelin e saj për sensibilizim ministrja Kumbaro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore