Sport

Kuka: Mirënjohës ndaj Majlindës deri në frymën e fundit


Trajneri i xhudos në Kosovë, Driton Kuka, me rastin e ceremonisë së pensionimit të Majlinda Kelmendit, kthehu edhe një herë kohën pas, duke falënderuar kampionen olimpike të vitit 2016.

Kuka ndjehet krenar që ka pasur një nxënëse të tillë, me të cilën tani do të bashkëpunojë si trajner.

“Majlinda më ka bërë krenare mua dhe familjen time, ajo gjithashtu ka bërë krenar të gjithë kombin tonë. Jam mirënjohës deri në frymën e fundit”, theksoi trajneri Kuka.

“Ajo me arritjet e saja, është bërë ikona e suksesit kosovar dhe është bërë shembull i shoqërisë tonë, duke tejkaluar të gjithë vështirësitë dhe sfidat”, shtoi Driton Kuka.

“Ajo ju ka dëshmuar të rinjve tanë se kur punohet me përkushtim, suksesi do të jetë i garantuar”, tha mes tjerash trajneri kosovar.

Kujtojmë që Majlinda Kelmendi tashmë do të jetë trajnere e xhudos në Kosovë, ku së bashku me Driton Kuka do ta përcjellin përvojën tek gjeneratat e reja, të cilët tashmë po rriten nën gjurmët e modelit të tyre.

Ajo në fjalimin e saj lamtumirës falënderoi të gjithë dhe shpreson që Kosova ende të ketë suksese në arenën ndërkombëtare në të gjithë sportet.

“Faleminderit shumë për vendin tim, për popullin tim, që jeni frymëzimi im. Ishte një nder dhe privilegj i madh për mua të përfaqësoja Kosovën”.

“Viti 2021 po përfundon. Ishte viti më i suksesshëm për Kosovën që kur sporti ekziston në këtë vend. Ne patëm kënaqësinë të fitonim dy medalje të arta olimpike nga Nora dhe Disitria”, ishin disa nga fjalët e Majlindës.

Kujtojmë që Majlinda Kelmendi është sportistja më e suksesshme në trojet shqiptare.

Ajo gjatë karrierës së saj ka koleksionuar gjithsej 46 medalje, prej të cilave 32 janë të arta, gjashtë të argjendta dhe tetë të bronzta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore