Lajme

Kuba, në ‘dorën’ e vaksinave vendase


Kuba po ndërmerr një rrezik të lartë përsipër, pas ka zgjedhur të përdorë vaksinat e saj. Kombi komunist po vaksinon qindra mijëra njerëz, me doza që ende janë në testim.

Sa u takon vaksinave, Kuba nuk ka arritur te palët e treta, siç është programi global Covax, duke kërkuar vaksina që përdoren diku tjetër.

Soberana 02 dhe Abdala prodhohen përkatësisht nga Instituti Finlay i Vaksinave dhe Qendra e Inxhinierisë Gjenetike dhe Bioteknologjisë së Kubës (CIGB).

Të dyja dozat janë në provat klinike të Fazës III dhe më shumë se 415 mijë doza janë administruar gjatë procesit të testimit, duke ruajtur një regjim me tre doza.

Bazuar në rezultatet paraprake, qeveria kubaneze thotë se po vijon me inokulimin e punonjësve të vijës së parë dhe popullatave në rrezik.

“Më shumë se 445 mijë kubanezë kanë marrë të paktën një dozë Abdala”, deklaronte më 18 maj Presidenti Miguel Díaz-Canel. Soberana 02 do t’i shtohet së shpejti skemës së vaksinimit.

Kur pandemia shpërtheu në të gjithë Hemisferën Perëndimore vitin e kaluar, Kuba ishte në gjendje të përmbante situatën në vend.

Kuba, me 11 milionë banorë, në këto momente po thyen rekorde, duke pasur mesatarisht 1 mijë e 300 raste të reja në ditë, nga 165 që kishte në janar.

“Kur flitet për jetën ose vdekjen, ne besojmë se elementët e sigurisë dhe efikasitetit na lejojnë të ecim përpara”, tha ministri i Shëndetësisë, José Angel Portal.

Kur njoftoi programin e zgjeruar të vaksinimit në televizionin shtetëror më herët gjatë muajit ai u shpreh se: “Nuk ka kohë për të humbur”.

Në krahasim me shumicën e vendeve në Amerikën Latine dhe Karaibe që kanë vaksinuar vetëm 3% e popullsisë së rajonit, qeveria e Kubës thotë se mund të ketë 70% të popullsisë së saj të inokuluar deri në muajin gusht.

“Ne me siguri do të bëhemi vendi i parë në botë që do të vaksinojë të gjithë popullsinë e saj me vaksinat e saj”, tha ministri Portal.

Argjentina, Brazili, Meksika dhe Peru po punojnë gjithashtu për vaksinat e tyre, por ato janë ende në fazat e hershme të zhvillimit.

“Sigurisht që ekziston rreziku kur vini bast gjithçka mbi dozat e vaksinave vendase”, tha Amilcar Perez Riverol, një ish-profesor i virologjisë molekulare në Universitetin e Havana-s dhe një ish-studiues në CIGB.

“Në të njëjtën kohë”, shton Riverol, i cili jeton në São Paulo, “Kuba ka një histori, kështu që është logjike që duhet ta marrë këtë hap të shpejtë dhe të përpiqet të prodhojë vaksinat e saj”.

Megjithëse pjesa më e madhe e ekonomisë së Kubës vuan nga mungesa e investimeve, qeveria gjithmonë e ka bërë prioritare sektorin e saj të bioshkencës. Vendi ka prodhuar për dekada vaksina të përparuara.

Ajo zhvilloi vaksinën e parë në botë të meningokokut B në vitet ’80.

Një vaksinë kubaneze për parandalimin e kancerit të mushkërive, CIMAvax-EGF, aktualisht po kalon prova të miratuara nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) në SHBA.

Që prej Revolucionit Kubanez, më shumë se gjashtë dekada më parë, ishulli ka dërguar qindra mijëra mjekë dhe infermierë jashtë vendit si pjesë e një sulmi sharmant diplomatik.

Vaksinat e brendshme mund të jenë një rrugë shpëtimi financiare për një vend, ekonomia e të cilit u tkurr me 11% në vitin 2020. Tashmë, Bolivia, Meksika dhe Venezuela kanë shprehur interes për të blerë ose licencuar Abdala-n dhe Soberana 02.

Qeveria Kubaneze deklaroi se do të administrojë dozat e treta dhe të fundit të të dyja formulimeve nën provën e Fazës III deri në fund të majit. Studiuesit duhet të presin deri atëherë për të parë se sa të sigurt dhe efektivë janë barnat dhe t’i dërgojnë të dhënat e tyre Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Marrë dhe përshatur nga Bloomberg për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore