Lajme

Kryetarët e komunave nga VV-ja kërkojnë ndërprerjen e grevës


Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, është takuar me kryetarin e Gjilanit, Alban Hyseni, kryetarin e Kamenicës, Kadri Rahimaj dhe atë Shtimes, Qemajl Aliu kanë kërkuar që të fillojë mësimi në shkolla.

Ata kanë kërkuar nga prindërit që t’i dërgojnë fëmijët në shkolla dhe të ndërpritet greva.

“Qeveria e Kosovës tashmë ka vendosur në diskutim publik Ligjin për Paga, ku mësimdhënësit trajtohen me paga të dinjitetshme si dhe është përkujdesur me Pakon e re mbështetëse në ndihmë të qytetarëve karshi inflacionit”, thuhet në njoftimin e Bulliqajt.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë në një konferencë për media të shtunën, bashkë me ministrin e Financave, Hekuran Murati, se shtesa prej 50 eurosh për sektorin publik nuk ka të bëjë me Ligjin e Pagave.

Sipas tij, kjo shtesë po bëhet për këtë vit fiskal, dhe se është ndihmë për ta përballuar inflacionin.

Çka ndodhi?

25 gushti i gjeti sërish në greva mësimdhënësit, edukatorët në kopshtet publike, punëtorët e administratës publike, shërbyesit civilë në institucione lokale dhe qendrore të Kosovës.

Të gjithë kanë të njëjtën kërkesë – rritje të pagës prej 100 eurove. Por, akoma pa përfunduar një ditë e grevës, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, doli me vendim që grevistët të pezullohen nga e drejta për pagesë, pasi nga ta po kërkohet detyrim i bindjes për të punuar.

Vendimin e njëjtë e përforcoi ministri i Financave, Hekuran Murati në një paraqitje publike, ku kumtoi lajmin se dikasteri të cilën ai drejton nuk ka bërë në tërësi ekzekutimin e pagave në sektorin publik, me pretekstin se nuk ka arritur të përditësojë listat e pagave, pasi disa nga shërbyesit civil janë në grevë dhe nuk paraqiten në punë.

Pra pagat, sipas Muratit, janë procesuar vetëm atyre organizatave buxhetore që kanë arritur të kompletojnë me kohë listat e pagave të përditësuar.

“Siç e dini greva e deklaruar nga SBASHK-u dhe BSPK-ja në fund të muajit gusht, ka krijuar nevojën që të riprocesohen llogaritjet për ato organizata buxhetore që ndikohen nga grevat, për këtë arsye kemi kërkuar përditësimin e listave të grevistëve ashtu që të respektohet neni 18.1 të ligjit për grevat”, ka thënë ai në një konferencë për media.

“Mirëpo meqenëse përditësimi i listave të pagave nuk ka arritur të ndodh me kohë nga këto organizata buxhetore, ka qenë e pamundur që të procesohen edhe me pagat e tyre në ditën e sotme”, ka shtuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore