Lajme

Kryesia e Kuvendit të Kosovës mblidhet sot


Të martën nga ora 14:00, do të mbahet mbledhja e radhës e Anëtarëve të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, në të cilën pritet të caktohet data e seancës së re plenare të legjislativit.

Disa nga pikat e rendit të ditës janë; miratimi i procesverbalit të mbledhjes së mëparshme të Kryesisë së Kuvendit, deklarimet jashtë rendit të ditës, pyetjet parlamentare, përgatitjet për seancë plenare si dhe miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme.

Në mbledhje vend do të zënë edhe pika të tjera të rendit të ditës të tilla si; propozim-vendimet për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit për formimin e komisioneve parlamentare e shqyrtimi i raportit vjetor të Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2020.

Po ashtu mes pikash tjera të rendit të ditës do të jenë edhe shqyrtimi i parë i projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Përgjegjësitë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve si dhe debati parlamentar në lidhje me situatën ekonomike si pasojë e pandemisë me COVID-19.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore