Lajme

Kryeministrja e re e Italisë, problemi i ri i Kosovës


Ilustrim

Giorgia Meloni në zgjedhjet e përgjithshme të 25 shtatorit të mbajtura në Itali triumfoi, duke u bërë kryeministrja e parë grua e Italisë.

Fitorja e saj ishte historike jo vetëm për shkak të gjinisë së saj, por sepse ajo drejton një parti që është më e djathtë se çdo lëvizje politike kryesore që Italia ka parë që nga koha e ish-udhëheqësit të saj fashist, Benito Musolini.

Meloni shumë shpejtë u vu në shënjestër të mediave pikërisht për faktin se udhëhiqte një parti të ekstremit të djathë – “Vëllezërit e Italisë”.

Skepticizmi qëndronte në atë se si një kryeministre me tipare të ekstremit të djathtë do të mund ta udhëhiqte një vend demokratik si Italia.

Mu për këtë arsye shumë media ndërkombëtare kishin gjurmuar të kaluarën e Melonit për të pasur një pasqyre të bindjeve të saja në atë mënyrë për të kuptuar se si ajo do ta trasonte rrugën e Italisë në katër vitet e ardhshme si në aspektin e politikave të brendshme ashtu edhe në ato të jashtme.

Ku qëndronte Kosova në bindjet e saja?

Për Melonin, Kosova është një vend “i shkëputur” nga Serbia në vitin 1999 si pasojë bombardimeve të NATO-s.

Kështu të paktën shkruante Meloni në vitin 2016 – si një politikane që kishte dështuar të zgjidhej si kryetare e Romës – në një status në Facebook.

Në po të njëjtën status Meloni kishte shkruar për pesë kampe trajnimi të ISIS me bazë në Kosovë duke u thirrur në raportimet e mediave prestigjioze si The New York Time.

Ajo Kosovën në këtë shkrim të sajin e pasqyronte si një vend ku po rekrutoheshin xhihadistë të cilët destinacionin e fundit e kishin organizatën terroriste ISIS.

“Arabia Saudite ka nisur një proces proselitizmi (politika e përpjekjes për të konvertuar besimet fetare ose politike të njerëzve) dhe propagande të pikëpamjes së saj integraliste (parim që besimi katolik duhet të jetë baza e së drejtës publike dhe politikës publike brenda shoqërisë) të Islamit dhe tani rrezikojmë të gjejmë në zemër të Evropës një zonë gri, ku fundamentalizmi lulëzon dhe ku duket se integralistët dhe xhihadistët po formohen në kampet e trajnimit për ISIS”, kishte shkruar Meloni.

Statusi i Giorgia Meloni në Facebook

Për këtë arsye Meloni, atëbotë kishte kërkuar nga institucionet shtetërore italiane që çështjen e Kosovës “si një vend ku po rekrutohen xhihadistët” ta trajtonin në NATO dhe Bashkimin Evropian.

“Nëse Kosova është zonë e mbrojtur nga NATO, duhet ndaluar propaganda integraliste e Sauditëve dhe duhet shtypur çdo organizatë që simpatizon terroristët. Përndryshe rrezikojmë të jemi bashkëpunëtorë dhe të fyejmë forcat tona të armatosura, janë 580 ushtarë italian të vendosur në Kosovë, duke i detyruar të jenë ‘qen roje’ të integralistëve islamikë në Evropë”.

Kosova ka dëshmuar në vazhdimësi që është një vend demokratik e aspirues i integrimeve euro-atlantike, e assesi një shtet ku rekrutohen militantë e mercenarë për organizata terroriste.

Kosova me vite të tëra ka luftuar ekstremizmin fetar ka vendosur sanksione me qëllim të parandalimit të financimit të akteve terroriste si dhe ka marrë vendime për sanksionim ndaj secilit shtetas të huaj që shkel të drejtat e njeriut.

Përpos kësaj Kosova ka qenë njëra ndër vendet e para që ka riatdhesuar qytetarët e vetë, që kanë luftuar për ISIS duke i gjykuar këta të fundit.

“Vende si Kazakistani dhe Kosova kanë qenë në gjendje të riatdhesojnë dhjetëra dhe në disa raste qindra luftëtarë dhe familjarë të tyre, kanë dënuar ata që kanë bërë krime dhe kanë dërguar në qendra rehabilitimi fëmijët dhe familjarët, të cilët marrin pjesë në programe çradikalizimi dhe integrimi”, kishte thënë ndër të tjera në atëbotë Koordinatori amerikan për kundërterrorizmin, Nathan A. Tales, në një konferencë për media në Departamentin e Shtetit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore