Shqipëria

Kryebashkiaku dhe kreu i Ujësjellësit të Vlorës përfundojnë në komisariat


Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, bashkë me kreun e ujësjellësit të Vlorës, Shkëlqim Leskaj, mbrëmjen e 20 shtatorit janë thirrur në komisariatin e policisë.

Sipas burimeve zyrtare për Albanian Post (AP), kryebashkiaku Leli bashkë me kreun e ujësjellësit, kanë pasur një zënkë mes njëri tjetrit. Zënka është përkeqësuar dhe për pasojë, Leli dhe Leskaj janë shoqëruar për në komisariat.

Motivet e zënkës ende nuk bëhen të ditura nga Policia e Vlorës.

Tension mes Lelit dhe Këshillit Bashkiak

Të premten e 18 qershorit, një tjetër mbledhje është anuluar me pretekstin për të respektuar masat anti-Covid.

Këshilli Bashkiak kërkoi mbledhje urgjente pas kërkesës së kryetarit të bashkisë për të shkarkuar nga detyra sekretarin e përgjithshëm të këshillit, Agron Gjipali.

Kërkesa ka ardhur me argumentin se ka mbushur moshën e pensionit.

Shkresa e kryebashkiakut Leli u kërkonte anëtarëve të Këshillit Bashkiak të Vlorës të zgjedhin një sekretar të ri të përgjithshëm.

Nga ana e tyre, anëtarët e Këshillit Bashkiak të Vlorës e kanë konsideruar këtë gjë tendencioze, duke refuzuar shkarkimin e Gjipalit nga detyra.

Ndërsa të martën e 15 qershorit ka ndodhur përplasja e parë mes anëtarëve të Këshillit dhe Lelit.

Anëtarët kanë kërkuar zhvillimin e mbledhjes të 15 qershorit në teatrin “Petro Marko”, ndërsa Leli nuk e ka lejuar atë, duke thënë se janë shkelur masat anti-Covid.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore