Shqipëria

Kryebashkiaku Leli nuk pranon të marrë pjesë në mbledhje, Këshilli rrëzon kërkesën e tij


Kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli, ka refuzuar sërish të premten e 18 qershorit të marrë pjesë në mbledhjen e thirrur nga Këshilli Bashkiak, duke kërkuar që mbledhja të zhvillohet online.

Këshilli Bashkiak kërkoi mbledhje urgjente pas kërkesës së kryetarit të bashkisë për të shkarkuar nga detyra sekretarin e përgjithshëm të këshillit, Agron Gjipali, me argumentin se ka mbushur moshën e pensionit.

Shkresa e kryebashkiakut Leli, i kërkonte anëtarëve të këshillit bashkiak të Vlorës të zgjedhin një sekretar të ri të përgjithshëm.

Nga ana e tyre, anëtarët e këshillit bashkiak të Vlorës e kanë konsideruar këtë gjë tendencioze, duke refuzuar shkarkimin e Gjipalit nga detyra.

Me 40 vota pro dhe 2 kundër, Këshilli Bashkiak ka votuar për vijimin në detyrë të sekretarit të përgjithshëm.

“Gjipali duhet të qëndrojë në detyrë, derisa të gjendet një profesionist i ri, që mund ta zëvendësojë dhe jo të pushohet nga detyra menjëherë”, ka deklaruar Këshilli.

Tension mes Lelit dhe Këshillit Bashkiak

Të martën e 15 qershorit ka ndodhur një përplasje mes anëtarëve të Këshillit Bashkiak dhe kryetarit aktual të Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli.

Anëtarët kanë kërkuar zhvillimin e mbledhjes të 15 qershorit në teatrin “Petro Marko”, ndërsa Leli nuk e ka lejuar atë, duke thënë se janë shkelur masat anti-Covid.

Deputeti i Partisë Socialiste në Vlorë, Anduel Tahiraj, u shpreh se mënyra se si zhvillohet mbledhja e përcakton Këshilli Bashkiak dhe jo kryetari.

“Akti i Lelit, papërgjegjshmëri që cenon qytetarët e Vlorës”, tha Tahiraj në një deklaratë për mediat.

Sipas tij, Leli ka humbur besimin e qytetarëve dhe mbështetjen e Partisë Socialiste.

Më herët, këshilltarët e Këshillit Bashkiak të Vlorës kërkuan një mbledhje për të diskutuar mbi shqetësimet e komunitetit për gjendjen e shërbimeve vendore.

Ata, në atë kohë, kërkuan një ballafaqim me Dritan Lelin, dhe praninë e deputetëve të qarkut, përfshirë edhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore