Shqipëria

Refuzimi i mbledhjeve, MSHMB: Masat e Covid nuk janë pengesë


Ministria e Shëndetësisë ka aprovuar ditёn e martё mbajtjen e mbledhjeve pёr Kёshillin Bashkiak tё qytetit tё Vlorёs.

Sekretari i Këshillit, Agron Gjipali, ka kërkuar një konfirmim mbi ligjshmërinë e realizimit të mbledhjes fizike në sallën e teatrit “Petro Marko”.

Kryebashkiaku i Vlorёs, Dritan Leli, refuzoi mbajtjen e tyre me justifikimin e masave anti-Covid.

“Urdhri nuk cenon aktivitetin e Këshillit Bashkiak. Vlora paraqet një situatë epidemiologjike të mirë, pa asnjë rast Covid. Sigurisht, këto mbledhje duhet të zhvillohen në përputhje me protokollet anti-Covid”, ka shkruar zëvendësministrja e Shёndetёsisё, Mira Rakacolli.

Deputeti socialist, Ilir Metaj, e quajti ndalimin një skemë tё Lelit.

Ai theksoi se nuk do tё pranohet mё asnjë komunikim në distancë dhe se do të merret audit i jashtëm për dhënien e lejeve nga Bashkia e Vlorës.

“Për t’u dhënë seriozitet pikave të rendit të ditës është prania fizike e sallës së mbledhjes”, tha Metaj.

Anëtarët e Këshillit kanë kërkuar ditёn e martё, 22 qershor, sërish mbledhje jashtë radhe me kreun e Bashkisë, nё Vlorё.

Ky i fundit refuzoi kёrkesёn, duke u shprehur se janë në fuqi masat anti-Covid dhe se, “tema e kërkuar për t’u diskutuar mund të futet në rendin e ditës të mbledhjes së parashikuar më 24 qershor online”.

Kujtojmë se, në zgjedhjet parlamentare të Republikës së Shqipërisë, Dritan Leli, ishte zgjedhur si kandidat për deputet në fushatën e Partisë Socialiste.

Kryeministri Edi Rama nga qyteti i Vlorës dha lajmin se Leli nuk e kishte pranuar kandidaturën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore