Lajme

Kroacia konfirmon dhunën ndaj emigrantëve, Greqia premton hetim


Një grup emigrantësh duke lëvizur nëpër një pyll në malin Pljesevica në përpjekje për të kaluar ilegalisht kufirin në Kroaci, 28 nëntor 2018.

Kroacia pranoi të premten se oficerët e saj të policisë kishin marrë pjesë në një goditje të dhunshme të emigrantëve në kufirin me Bosnjë dhe Hercegovinën, ndërsa Greqia premtoi se do të hetonte raportet e veprimeve të ngjashme nga zyrtarët e saj.

Disa media evropiane raportuan këtë javë se zyrtarët grekë dhe kroatë po i tërhiqnin ilegalisht dhe nganjëherë dhunshëm emigrantët. Ekzekutivi i Bashkimit Evropian bëri thirrje për një hetim të enjten.

Shefi i policisë kombëtare të Kroacisë, Nikola Milina, tha se tre policë të përfshirë i përkasin një njësie të ndërhyrjes speciale dhe se tani do të përballen me procedura disiplinore.

“Ne nuk duam që ndonjë incident i tillë të dëmtojë imazhin e policisë kroate dhe punën e mirë që ajo kryen në kontrollin e kufirit dhe luftimin e kontrabandistëve të emigrantëve”, tha ai.

Emigrantë të dhunuar

Ministri i Brendshëm i Kroacisë, Davor Bozinovic, deklaroi se hetimi lidhej me një incident në qershor.

Ministri grek i Migracionit, Notis Mitarachi, të premten tha se i kishte thënë komisioneres të Punëve të Brendshme të BE-së, Ylva Johansson, se pretendimet do të hetohen.

“Çdo pretendim i bërë hetohet nga gjyqësori dhe nga auditimi ynë i brendshëm”, u tha ai gazetarëve në një takim të BE-së në Luksemburg.

Johansson më herët tha se vendet e BE-së kishin nevojë të mbronin kufijtë e jashtëm të bllokut, por se ata gjithashtu duhej të respektonin sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore.

Sipas ligjit ndërkombëtar dhe asaj të BE-së, emigrantët kanë të drejtë të kërkojnë azil dhe është e ndaluar të dërgohen azilkërkuesit e mundshëm përsëri atje ku jeta ose mirëqenia e tyre mund të jetë në rrezik.

Njerëzit marrin pjesë në një protestë kundër shtytjeve të dhunshme të emigrantëve, të supozuar të kryer nga policia kroate, pranë kalimit kufitar midis Kroacisë dhe Bosnjë Hercegovinës në Maljevac, Kroaci, të shtunën 19 qershor 2021

12 ministra të migrimit dhe të brendshëm nga Austria, Danimarka, Greqia dhe vendet e Evropës Lindore i shkruan të enjten Komisionit Evropian, duke bërë thirrje për mjete të reja për të shmangur këtë rritje, në vend që të merreshin me sistemet e mbingarkuara të emigrantëve.

Sipas tyre, migrimi ilegal po përdorej për qëllime politike.

Polonia dhe shtetet e tjera të BE-së, si Lituania dhe Letonia, kanë raportuar rritje të mprehtë të emigrantëve nga vende të tilla, si Afganistani dhe Iraku.

Ata përpiqen të kalojnë kufirin nga Bjellorusia – në atë që Brukseli dhe Varshava thonë se është një formë e luftës hibride nga Minsk-u.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore