Lajme

Kriza klimatike po përkeqëson situatën e përmbytjeve në Bangladesh, thonë ekspertët


Përmbytjet më të mëdha në Bangladesh, në më shumë se një shekull, u kanë marrë jetën dhjetëra njerëzve deri më tani, ndërsa afro 4 milionë të tjerë janë shpërngulur.

Ekspertët paralajmërojnë se nivelet e ujit do të mbeten jashtëzakonisht të larta në veri.

Sipas tyre, përmbytjet katastrofike të shkaktuara nga shiu, të cilat përfshinë një pjesë të madhe të zonave veriore dhe verilindore të vendit, janë rezultat i ndryshimit të klimës.

Bangladeshi, komb me popullsi të dendur, është gjithashtu një nga vendet më të cenueshme nga klima në botë, ku të varfrit janë të prekur në mënyrë disproporcionale, pasi përmbytjet e shpeshta kërcënojnë jetesën, bujqësinë, infrastrukturën dhe furnizimin me ujë të pijshëm.

Në një studim të vitit 2015 nga Instituti i Bankës Botërore thuhet se rreth 3.5 milionë nga 160 milionë banorët e Bangladeshit janë në rrezik prej përmbytjeve të lumenjve çdo vit.

Saiful Islam, drejtor i Institutit të Menaxhimit të Ujit dhe Përmbytjeve (IWFM) në Universitetin e Inxhinierisë dhe Teknologjisë në Bangladesh (BUET), analizoi të dhënat e 35 viteve të përmbytjeve.

Ai zbuloi se shirat po bëheshin më të paparashikueshëm dhe shumë lumenj po ngrihen mbi nivele të rrezikshme më shumë se më parë.

“Vetëm shtatë vitet e fundit sollën pesë përmbytje të mëdha, duke hequr mundësitë e njerëzve për t’u përshtatur, veçanërisht në rajonet veriore dhe verilindore të vendit”, tha Islami për “Al Jazeera”.

Duke cituar një nga punimet e tij kërkimore, ai shpjegoi se, edhe nëse temperaturat mesatare globale rriten në mënyrë modeste, me 2 gradë Celsius mbi mesataren për kohët para-industriale, përmbytjet përgjatë pellgut të lumit Brahmaputra në Indinë Verilindore dhe Bangladesh parashikohen të rriten me 24 për qind.

Me një rritje prej 4 Celsius, përmbytjet parashikohet të rriten me më shumë se 60 për qind, tregoi hulumtimi i Islamit.

“Sistemi i bllokuar”

Disa lumenj, duke përfshirë Brahmaputra, një nga më të mëdhenjtë e Azisë, rrjedhin në pjesën e poshtme nga verilindja e Indisë përmes ligatinave të ulëta të Bangladeshit, ndërsa derdhen në Gjirin e Bengalit.

Megjithatë, këtë vit, uji i tepërt i shiut nga shtetet Assam dhe Meghalaya të Indisë që derdhet në lumenjtë Meghna dhe Jamuna të Bangladeshit nuk mund të thahet, sepse ligatinat ishin tashmë të ngopura nga një përmbytje e mëparshme para musonit muajin e kaluar.

“Lumëzimi i shtretërve, i shkaktuar nga shpyllëzimi dhe hedhja e mbeturinave të ngurta, tashmë ka reduktuar kapacitetin mbajtës të ujit të lumenjve në Bangladesh”, tha Ashiq Iqbal, studiues në IWFM.

Ndërtimi i paplanifikuar përgjatë ligatinave verilindore është një tjetër arsye pse lumenjtë janë bërë arterie të bllokuara, bëri me dije nga ana tjetër Mominul Haque Sarkar, këshilltar i lartë në Qendrën për Shërbimet e Informacionit Mjedisor dhe Gjeografik (CEGIS).

“Shumica e qyteteve dhe fshatrave në Bangladeshin Verior nuk kanë diga mbrojtëse. Pra, kur niveli i ujit në ligatina apo lumenj fillon të rritet, ai shpejt hyn në zonat e banuara dhe i përmbyt ato”.

Marrë nga Al Jazeera, përshtatur për Albanian Post!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore