Lajme

Dhjetëra të vrarë dhe miliona të bllokuar nga përmbytjet në Indi e Bangladesh


Të paktën 59 persona mësohet se kanë humbur jetën, nga goditjet e rrufesë dhe rrëshqitjet e dheut, të shkaktuara nga stuhitë e forta në Indi dhe Bangladesh.

Miliona njerëz kanë mbetur të bllokuar, ndërsa punonjësit e urgjencës kanë luftuar për të arritur tek të prekurit.

Sinoptikanët paralajmërojnë se përmbytjet pritet të përkeqësohen gjatë ditëve në vijim.

Zyrtarët e qeverisë së Bangladeshit i kanë përshkruar përmbytjet e fundit si më të rëndat në vend që nga viti 2004.

Shirat e pandërprerë gjatë javës së fundit kanë përmbytur sipërfaqe të gjera të rajonit verilindor të vendit, të përkeqësuar nga reshjet e dendura nëpër male në Indinë fqinje.

Shkollat janë shndërruar në strehimore të improvizuara dhe trupa janë vendosur për të evakuuar familjet e shkëputura nga komunitetet fqinje si rezultat i rritjes së ujërave.

“I gjithë fshati kaloi nën ujë deri të premten herët dhe ne të gjithë u bllokuam”, tha Lokman, familja e të cilit jeton në fshatin Companiganj në Bangladesh, për agjencinë e lajmeve AFP.

Në shtetin Assam në Indinë fqinje, më shumë se 1.8 milionë njerëz janë prekur nga përmbytjet pas pesë ditëve rrebesh pa ndërprerje.

Kryeministrja Himanta Biswa Sarma u tha gazetarëve se ai kishte udhëzuar zyrtarët e distriktit që të ofronin “të gjithë ndihmën dhe lehtësimin e nevojshëm” për ata që janë kapur nga përmbytjet.

Rreth 3.1 milionë njerëz u zhvendosën në rajon, thanë zyrtarët, me 200 mijë prej tyre që tani janë vendosur në strehimore të improvizuara në tokë më të lartë.

Shirat sezonalë të musonit përfaqësojnë një mjet shpëtimi për fermerët në të gjithë Azinë Jugore, por zakonisht shkaktojnë vdekje dhe shkatërrim të pronave çdo vit.

Bangladeshi dhe India, vitet e fundit, kanë përjetuar mot gjithnjë e më ekstrem.

Ambientalistët, megjithëse përmbytjet nuk ia atribuojnë ndryshimeve klimatike, paralajmërojnë se mund të çojë në më shumë fatkeqësi, veçanërisht në vendet që janë të ulëta dhe me popullsi të dendur.

Marrë nga BBC, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore