Lajme

Kriza e karburantit/ Delegacioni libanez i nivelit të lartë mbërrin në Siri


Ministri i Jashtëm sirian Faisal Miqdad dhe anëtarët e kabinetit takohen me një delegacion zyrtar libanez në Damask

Një delegacion i lartë qeveritar libanez i kërkoi Sirisë të mërkurën të lejojë gazin natyror egjiptian dhe energjinë jordaneze të kalojnë nëpër territorin e tij për të lehtësuar krizën e karburantit që ka “paralizuar” Libanin.

Kërkesa erdhi gjatë një vizite zyrtare në Damask që shënoi fundin e më shumë se një dekade të marrëdhënieve të akullta midis fqinjëve, pas shpërthimit të luftës civile siriane në 2011-ën.

Libani është dëshmitar i një krize ekonomike të përshkruar si një nga më të rëndat në botë që nga vitet 1850.

Delegacioni i lartë i Libanit, i udhëhequr nga ministri i Mbrojtjes në detyrë dhe ministri i Jashtëm në detyrë Zeina Akar, i kërkuan Sirisë të rikthejnë një marrëveshje që daton në 2009.

Kjo marrëveshje lejon gazin natyror egjiptian, që vjen nga Jordania, përmes një tubacioni sirian të arrijë në një termocentral libanez në veri të vendit.

“Pala libaneze kërkoi ndihmën e Sirisë për të lehtësuar transferimin e gazit natyror egjiptian dhe energjisë elektrike jordaneze përmes territoreve siriane. Pala siriane mirëpriti kërkesën”, tha Nasri Khoury, kreu i Këshillit të Lartë sirian me bazë në Damask, një organ i lidhur me qeverinë për marrëdhëniet dypalëshe.

Ai foli pas një takimi dy orë e gjysmë në Damask.

Rrjedha e gazit natyror egjiptian në Siri u ndërpre në vitin 2010 për shkak të sulmeve sabotuese dhe mungesave. Tubacionet gjithashtu janë dëmtuar gjatë luftës civile në Siri.

Lëvizja e Libanit drejt Sirisë shënon një ndryshim në politikën e qeverisë në favor të aleatëve të Iranit në vendin e vogël mesdhetar. Libani është ndarë thellësisht në lidhje me luftën siriane.

Mediat shtetërore siriane e shpallën vizitën si një vizitë që “thyen akullin dhe ringjall marrëveshjet bilaterale”.

Ministri i Jashtëm i Sirisë, Faisal Mikdad, priti delegacionin në një pikë kufitare të shtunën para se të shkonin në Damask së bashku.

Takimi është gjithashtu një provë për sanksionet e SHBA-ve kundër Iranit dhe Sirisë, pasi Libani kërkon të përdorë tubacionet siriane dhe karburantin iranian përmes porteve siriane për të trajtuar krizën e energjisë.

Cisterna iraniane e karburantit drejt Sirisë

Një cisternë iraniane që transportonte karburant drejt Libanit ishte në spirancë në Detin e Kuq të premten përpara hapit të fundit të një udhëtimi në Siri, i cili do të jetë testi më i madh deri më tani ndaj sanksioneve amerikane të vendosura ndaj dy armiqve rajonalë.

Cisterna pritet në portin sirian të Baniyas në fillim të javës së ardhshme, në kundërshtim me sanksionet amerikane që parandalojnë eksportet e naftës nga Irani dhe importet në Siri, të cilat të dyja i janë nënshtruar kufizimeve të rrepta të vendosura nga SHBA-të në tregti.

Ardhja e afërt po përshëndetet nga grupi militant libanez i kthyer në bllok politik, Hezbollah, si një zgjidhje për goditjen e sanksioneve për një krizë energjetike që e ka çuar Libanin në bllokim dhe çoi në ndërprerje të gjera.

Faza e fundit e udhëtimit duket si një provë kritike për vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara për të vazhduar me embargot që kanë shkaktuar një dëm të konsiderueshëm ndaj Iranit, të cilin Washingtoni shpreson ta kthejë në marrëveshjen bërthamore dhe Sirinë.

SHBA-të nuk kanë zbuluar se çfarë synojnë të bëjnë pasi transportuesi të kalojë kanalin e Suezit dhe të kthehet në veri drejt Levantit. Pritet të shkarkohet në Baniyas, me karburantin që do të transportohet me kamion përtej kufirit për në Liban. Dy anije të tjera që transportonin karburant iranian dhe naftë besohet të jenë disa ditë pas tij.

Senatori amerikan, Chris Murphy, një anëtar i komitetit të Senatit për marrëdhëniet me jashtë, i cili vizitoi Libanin të enjten, sinjalizoi një lëvizje të veçantë për të importuar gaz në Bejrut nga Egjipti përmes Jordanisë dhe Sirisë.

“Shpresa ime është që ne të gjejmë një mënyrë për ta bërë këtë që nuk do të përfshijë asnjë sanksion të SHBA-ve”, u tha Murphy gazetarëve.

“Ne po punojmë shumë për të gjetur një zgjidhje për krizën e karburantit”.

Izraeli ka thënë se kundërshton me forcë karburantin iranian që i dërgohet Libanit.

Irani dhe Izraeli janë përfshirë në një luftë të fshehtë në ujërat rajonale, duke sabotuar anijet e lidhura me secilin vend. Në fillim të këtij viti, një raketë që besohet të jetë lëshuar nga një dron goditi urën e një transportuesi iranian në brigjet siriane.

Importimi i gazit në Liban do të kërkonte rehabilitim të gjerë të pjesëve të papërdorura siriane dhe libaneze të tubacionit dhe bashkëpunim të gjerë politik, i cili gjithashtu ka qenë në mungesë vitet e fundit.

Nasrallah premtoi karburant për Libanin

Udhëheqësi i grupit Hezbollah të mbështetur nga Irani, Hassan Nasrallah, dy javë më parë tha se anijet, të cilat transportojnë karburant iranian, do të nisen së shpejti për të lehtësuar mungesat e karburantit në Liban.

Nasrallah këmbënguli se grupi nuk po përpiqej të ndërhynte dhe të zëvendësonte shtetin duke blerë karburant.

“Anija e parë, e cila të enjten e kaluar grupi njoftoi se do të largohej nga Irani, tashmë kishte lundruar”, tha ai.

Nasrallah këmbënguli se grupi nuk po përpiqej të ndërhynte dhe të zëvendësonte shtetin, duke blerë karburant.

“Ne nuk po zëmë vendin e shtetit, as nuk jemi një alternativë ndaj kompanive që importojnë karburant”, tha ai në një fjalim para mbështetësve pa dhënë shpjegime se si do të hynin dërgesat në vend.

Kundërshtarët e Hezbollahut në Liban kanë paralajmëruar për pasoja të tmerrshme nga ky veprim, duke thënë se rrezikon të vendosen sanksione ndaj një vendi, ekonomia e të cilit është në krizë për gati dy vjet.

Ardhja e karburantit iranian do të shënonte një fazë të re në krizën financiare, të cilën shteti libanez dhe fraksionet e tij sunduese – përfshirë Hezbollahun – nuk kanë arritur ta trajtojnë, edhe pse karburanti është tharë dhe mungesat kanë shkaktuar dhunë vdekjeprurëse.

Hezbollahu njoftoi po ashtu pak më parë se po punonte për të sjellë karburant nga Irani, ndërsa Libani po lufton me energjinë e dobët dhe mungesat e benzinës.

Të paktën 28 persona u vranë dhe 79 u plagosën kur një rezervuar karburanti shpërtheu në Libanin verior të dielën, pasi Libani vuan nga një mungesë e madhe e karburantit. Fatkeqësia ndodhi në qytetin Altalil, në rajonin Akkar që është një nga zonat më të varfra të Libanit.

Me vendin në krizë ekonomike, spitalet kanë paralajmëruar se mungesa e karburantit mund t’i detyrojë ata të mbyllen në ditët në vijim, dhe gjithashtu kanë raportuar furnizime të ulëta të ilaçeve dhe gjërave të tjera të nevojshme.

Kriza në Liban, SHBA-të në bisedime me Egjiptin dhe Jordaninë

Ambasadorja e SHBA-ve në Liban, Dorothy Shea, për median “Al Arabiya” më shumë se dy javë më parë u shpreh se është në bisedime me Bankën Botërore, qeverinë e Egjiptit dhe Jordanisë për të ndihmuar në gjetjen e zgjidhjeve për nevojat që ka vendi për karburant dhe energji.

Komentet e Shea-s erdhën menjëherë pasi sekretari i përgjithshëm i grupit shiit Hezbollah, Hassan Nasrallah, akuzoi SHBA-të se qëndronin prapa krizave ekonomike dhe të karburantit të Libanit.

Lidhur me këtë deklaratë diplomatja e lartë amerikane bëri me dije se, “SHBA-të janë po aq të frustruara sa edhe libanezët me situatën. Unë jam duke punuar në këtë për disa javë tani. Pra, të akuzohesh si burimi i vetëm i këtij problemi – sulmet personale janë forma më e dobët e argumentit”.

“Dhe nëse kjo është gjithçka që ai mund të mbledhë për të shpjeguar mjerimin në të cilin po jeton populli libanez, atëherë turp për të”, shtoi ajo.

Duke iu kundërvënë komenteve të Nasrallah-ut, Shea hodhi poshtë pretendimet se Uashingtoni ishte përgjegjës për kolapsin ekonomik. “Ai mund të përpiqet sa të dojë që t’i hedhë fajin SHBA-ve dhe mund të më thërrasë me emra. Seriozisht, a është kjo më e mira që mund të bëjë?”.

E pyetur se cila do të ishte përgjigja e SHBA-ve ndaj fjalimit të mëparshëm të Nasrallah-ut ku ai tha se karburanti iranian do të ishte në rrugën e tij për në Liban në orët e ardhshme, Shea tha se Libanit nuk i duheshin cisterna iranianë.

Ajo citoi “një bandë të tërë” cisternash në brigjet e vendit që prisnin shkarkimin e ngarkesës së tyre. Për këtë të fundit qeveria libaneze nuk mund të paguajë për shkak të krizës aktuale ekonomike dhe mungesës së dollarit amerikan.

Presidenca libaneze njoftoi të enjten pasdite se Shea telefonoi Michel Aoun për t’i thënë se SHBA-të do të ndihmonin në sektorin e energjisë elektrike.

“Kjo është më e lirë, më e pastër dhe më e qëndrueshme”, e mbylli Shea për “Al Arabiya”.

 

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore