Shqipëria

Kreu i OSBE-së takohet me kryetaren e re të AMA-s


Të premten e 6 gushtit, në ambientet e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), është zhvilluar një takim mes ambasadorit – njëkohësisht kryetarit të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Vincenzo Del Monaco, dhe kryetares së re të AMA-s, Armela Krasniqi.

Sipas njoftimit të zyrës së OSBE-së temat e diskutimit të takimit mes palëve ishin përparësitë e medias dhe mbështetjet për projekte të ardhshme.

Ky takim është i pari – pas konfrontimeve të faktorit ndërkombëtar – lidhur me zgjedhjen e Krasniqit në krye të AMA-s.

Më herët, gjatë muajit korrik, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim (OSBE/ODIHR)  në Tiranë reagoi pas kërkesës së Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, për shtyrjen asokohe – të zgjedhjes së kryetarit të ri të AMA-s.

Përmes një postimi në Twitter, OSBE theksonte nevojën e një procesi gjithëpërfshirës, pjesëmarrës dhe transparent për emërimin e kryetarit dhe anëtarëve të rinj të AMA-s.

“Ne kemi qenë në kontakt me aktorët përkatës duke theksuar nevojën për një organ të pavarur rregullator të mediave”.

Gjithashtu në fund të statusit shkruhej se OSBE-ja kujdeset për t’u siguruar që AMA do të mund të përmbushë në rastin më të mirë, “misionin e saj”.

Reagimet ndërkombetare

Armela Krasniqi u zgjodh më 7 korrik si kryetarja e re e AMA-s me 83 vota pro, por gjatë punimeve të kuvendit, të shumta qenë reagimet e ndërkombëtarëve.

Që në mëngjesin e 7 korrikut, delegacioni i Bashkimit Evropian kërkoi shtyrjen e zgjedhjes së kryetarit të Autoritetit të Medias Audiovizive (AMA) në legjislaturën e ardhshme.

Trupi diplomatik i Britanisë së Madhe në Shqipëri reagoi gjithashtu për zgjedhjen e kryetarit të ri të Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA) në median sociale Twitter.

Në tweet shkruhej se Ambasada Britanike i bashkohej thirrjes së ndërkombëtarëve për të siguruar pavarësinë e AMA-s, përmes emërimit të kandidatëve jo-partiakë për strukturat kryesore të saj drejtuese.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore