Lajme

Kremlini qëndron ‘pas protestave pro-ruse në Evropë’


Kremlini mund të jetë duke koordinuar demonstratat në të gjithë Evropën për të treguar mbështetje për luftën në Ukrainë, kanë thënë ekspertët rusë për “The Times”.

Automjetet e zbukuruara me simbolin Z pro-luftës dhe marshime të ndjekura nga qindra nacionalistë që valëvisnin flamurin parakaluan nëpër Dublin, Hanover, Frankfurt dhe Limasol fundjavën e kaluar, pas ngjarjeve të ngjashme në Athinë dhe Berlin.

Koha dhe formati i demonstratave, pavarësisht se ato ishin qindra milje larg njëra-tjetrës, i shtyu ekspertët e çështjeve ruse të sugjeronin se ato mund të ishin orkestruar nga shteti.

Ata thanë se anëtarët e diasporës mund të jenë drejtuar nga Rossotrudnichestvo, një agjenci e qeverisë federale ruse me zyra në të gjithë Evropën, që promovon fuqinë e butë dhe drejtohet efektivisht nga ministria e punëve të Jashtme në Moskë.

Në të gjitha protestat, pjesëmarrësit valëvitën variante të flamurit rus së bashku me atë të vendit pritës, kaluan me makinë nëpër qytete.

Rreth 900 protestues në një autokolonë prej 400 personash kaluan nëpër Berlin më 4 prill, me automjete të veshura me imazhe pro-ruse. Një grua u arrestua për shfaqjen e shkronjës Z, një krim në disa pjesë të Gjermanisë.

Në të njëjtën ditë dhe rreth 1 mijë e 120 milje larg, demonstruesit dekoruan makinat e tyre me të njëjtin simbol dhe qindra shoferë në Athinë i binin borisë në mbështetje të Rusisë. Të dyja ngjarjet provokuan zemërim nga banorët vendas dhe ambasadat e Ukrainës, por më shumë demonstrata pasuan.

Të dielën e kaluar autokolona makinash dhe kamionësh të stilit ushtarak kaluan nëpër rrugët e Dublinit, disa duke mbajtur shkronjën Z dhe të gjithë duke veshur flamuj.

“The Times” analizoi, përcjell Albanian Post modelet dhe targat e automjeteve dhe zbuloi se ato i përkasin një grupi emigrantësh rusë që marrin pjesë në parada vjetore në kryeqytetin irlandez.

Disa nga makinat e tyre janë paraqitur gjithashtu në materialet promovuese të publikuara në mediat sociale nga Ambasada Ruse në Irlandë në vitin 2019, kur organizoi një ngjarje zyrtare për të përkujtuar humbjen aleate të Gjermanisë naziste në 1945.

Njerëzit që morën pjesë në protestën e javës së kaluar mohuan që Z ishte një simbol rus dhe thanë se rusët po diskriminoheshin për shkak të luftës.

Në të njëjtën ditë, rreth 600 protestues pro-rusë në një autokolonë prej 400 makinash me flamuj rusë kaluan nëpër Hanover, Gjermaninë veriore. Rreth 800 demonstrues të tjerë u mblodhën për një marshim nëpër Frankfurt pasi autoritetet lokale refuzuan të lejojnë një kolonë.

Disa këndonin “Rusi!” dhe duke mbajtur pankarta ku shkruhej, “E vërteta dhe diversiteti në vend të propagandës”.

Protestat erdhën një ditë pas një “mitingu masiv pro-rus” në Limasol, i njohur si “Moska e Qipros” për shkak të popullsisë së saj të madhe emigrantësh.

Pjesëmarrësit u filmuan nga droni duke tërhequr një flamur rus në madhësinë e një fushe futbolli përmes një parkimi makinash. Rreth 100 makina drejtuan një procesion nëpër zonë. Organizatorët mbajtën fjalime jashtë një stadiumi duke thënë se qëllimi i Moskës në Ukrainë ishte të largonte elementët nazist.

Ben Noble, profesor i asociuar i politikës ruse në University College London, mendon se Kremlini mund të “organizonte dhe orkestronte” demonstratat në të gjithë Evropën.

“Arsyeja pse kjo nuk është thjesht konspirative është sepse ne e dimë se Kremlini është i shqetësuar për optikën e mbështetjes ndërkombëtare, ose me mungesën e saj”, tha ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore