Sport

Kremlini mohon pretendimet e Macron se Rusia do të prishë Lojërat Olimpike


Emmanuel Macron (Getty)

Kremlini denoncoi si “të papranueshme” pretendimet e presidentit francez, Emmanuel Macron se Rusia po përpiqej të minonte Lojërat Olimpike të Parisit përmes një fushate dezinformimi.

Macron tha të enjten se Moska po përpiqej të promovonte narrativën se Franca ishte e paaftë për të pritur Lojërat dhe se ngjarja do të ishte një rrezik.

Presidenti francez Macron paralajmëroi të enjten e kaluar për rrezikun e dezinformimit rus gjatë Olimpiadës së Parisit, duke thënë se vendi i tij ishte gati për sfidën.

“Nuk dyshoj” se Lojërat do të jenë në shënjestër të Rusisë, “përfshirë në fushën e informacionit”, tha Macron në inaugurimin e Qendrës Ujore, objekti më i madh sportiv i ndërtuar për Lojërat Olimpike të verës së ardhshme.

“Këto janë akuza krejtësisht të pabaza”, u tha gazetarëve të premten zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov. Ai tha se ishte “sjellje absolutisht e papranueshme” dhe karakteristikë e akuzave perëndimore që “kurrë nuk mbështeten nga prova adekuate”.

Perëndimi ka akuzuar prej kohësh Rusinë për drejtimin e fushatave dezinformuese dhe përpjekjen për të mbjellë mosmarrëveshje, veçanërisht në mediat online.

Në muajt e fundit, Parisi ka akuzuar gjithashtu Rusinë se po përpiqet të manipulojë opinionin publik mbi konfliktin e Ukrainës duke vërshuar mediat sociale dhe mediat pro-Kremlinit me narrativa që kërkojnë të justifikojnë ofensivën e saj.

Ngjarja më e pritur me padurim në botë po zhvillohet në një kontekst kompleks global. Lufta e Rusisë në Ukrainë dhe konflikti midis Izraelit dhe Hamas-it në Gaza po ndërlikojnë përpjekjet për të siguruar Lojërat Olimpike, të cilat do të mbahen në Francë nga 26 korriku deri më 8 shtator dhe pritet të tërheqin të paktën 10 milionë spektatorë.

Macron thotë se Rusia do të synojë Olimpiadën e Parisit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore