Lajme

Krejt çështja është tek nënstacioni i Vallaqit – pika më e rëndësishme e marrëveshjes nuk po përmendet fare


Nenstacioni i Vallaqit - foto nga Maja Ficovic, REL

Mos faturimi i konsumatorëve të energjisë elektrike në Veri të Kosovës nga ana e KEDS-it nuk është problemi i vetëm me mos qasjen e operatorit të Kosovës në atë pjesë. Një tjetër, shumë më i rëndësishëm, është mos kontrollimi i nën-stacionit të Vallaqit që gjendet në veri, nga Operatori i Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT).

Por, pse është kaq i rëndësishëm ky nën-stacion?

Ky nënstacion i tensionit të lartë do të duhej të ishte pjesë e sistemit të KOSTT, dhe funksioni i tij është të operojë me sistemin e largpërçuesve të tensionit të lartë.

Duke qenë se është afër sistemeve të largpërçuesve të Serbisë, ky nënstacion ka një rëndësi të veçantë për KOSTT, sepse aty bëhen matjet e energjisë që hyn dhe del nga Kosova në Serbi dhe anasjelltas, si dhe bëhen operacionet e ndryshme teknike me largpërçues.

KOSTT, e ka një sistem digjital për matje dhe operacione nga distanca, që komandohet nga qendra komanduese në Prishtinë ose nga qendra rezerve (backup) në Kosova B.

Mirëpo nënstacioni i Vallaqit nuk është i përfshirë në këtë sistem digjital për arsye të refuzimit të personelit që operon nën-staciononin në Vallaq.

Kosova duke mos e kontrolluar këtë nënstacion, nuk kontrollon dot futjen dhe daljen e rrymës nga Kosova për në Serbi dhe anasjelltas.

Prandaj, Petar Petkoviç, në deklarimin e ditës së marrëveshjes, i siguronte qytetarët serb të Kosovës që kanë arritur ta mbajnë nënstacionin në kontrollin e tyre dhe larg KOSTT-it.

Edhe pse Ushtruesi i detyrës së kryeshefit të KOSTT-it, Kadri Kadriu, e ka mohuar se nënstacionin e Vallaqit në pjesën veriore të Kosovës, do ta kontrollojë Serbia siç pretendon i ashtuquajturi drejtor i zyrës për Kosovën në Serbi, Petar Petkoviç, pas arritjes së marrëveshjes për Energjinë në mes të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel të martën e 21 qershorit.

“Zona e Vallaqit, nga momentit që jemi bërë ne zonë rregullues me Operatorëve të Sistemit të Transmetimit të Evropës (ENTOS), është brenda zonës kontrolluese të KOSTT-it dhe Kosovës”, ka deklaruar Kadriu për Abanian Post

Zyrtarisht po, por përkundër kësaj, KOSTT nuk e kontrollonte dot këtë nënstacion meqë serbët refuzonin ta fusnin brenda sistemit.

Në marrëveshjen e arritur të martën është përmendur në pikën 5 edhe kjo çështje.

“Në pajtim me Marrëveshjen për Energjinë të vitit 2015, brenda 30 ditësh nga lëshimi i licencës për Elektroseverin, KEDS-i dhe KOSTT-i, nën ndërmjetësimin e BE-së nëse është nevoja) do të ketë qasje në nën-stacionin e Vallaq-it, gjithashtu dhe në infrastrukturën tjetër të transmisionit dhe distribucionit”, thuhet në këtë pikë.

Megjithatë, njohësi i çështjeve të energjisë, Agron Dida, ka deklaruar për Albanian Post se përkundër marrëveshjes “nuk kam informacione se a ka ndodhur diçka e re në këtë pikëpamje me rastin e kësaj marrëveshjeje për faturimin e energjisë në Veri”.

Se a do t’i krijohet qasje KOSTT-it në këtë nënstacion do të kuptohet vetëm pas fillimit të implementimit të marrëveshjes.

Nëse prapë do të refuzohet qasja dhe në anën tjetër kompania Elektrosever fillon operimin në Veri, atëherë Kosova nuk do të ketë përsëri të dhënat nga ky stacion rreth transaksioneve të energjisë elektrike me Serbinë.

Punëtorët në Vallaq

Punëtorët e këtij nënstacioni, si në të gjitha nënstacionet 110/35 kV, janë punëtorë të KOSTT-it. por, ky institucion nuk i paguan ata. Këta punëtorët aktualisht paguhen nga Rrjeti Elektrik i Serbisë.

Vallaqi është ndër nënstacionet e para të ndërtuara në Kosovë në Sistemin e Transmetimit dhe është i lidhur me pesë linja të tensionit të lartë 110 kV (kilovolt): me nënstacionin Trepça, nënstacionin Skenderaj, nënstacionin në Ujman, nënstacioni Ilirida (Mitrovicë) dhe nënstacioni Palaj (në afërsi të Prishtinës), si dhe nënstacioni Novi Pazar 2 (linjë interkonektive Kosovë-Serbi).

Vitin e kaluar presidenti i Serbisë, kishte dalur me kërcënime publike për Kosovën nëse provohet që të merret nga institucionet e vendit ky nënstacion.

Ai thoshte se i kanë shkuar informata se pret që autoritetet e Kosovës së shpejti do të provojnë të marrin në kontroll nënstacionin elektrik të Vallaqit në veri të Kosovës, duke thënë se një gjë e tillë është e mundshme të ndodhë që nga 6 nëntori (2021).

Nënstacioni nuk u provua të merret, derisa në Kosovë qeveria nuk i ishte përgjigjur Vuçiç-it.

Tani, me marrëveshjen e re, pritet të kuptohet nëse ky nënstacion kaq i rëndësishëm do të kalojë realisht në pronësi të KOSTT-it, ashtu siç është edhe në letër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore